Borrelli i kthen përgjigje Kurtit për planin 5 pikësh, ka disa kërkesa dhe një paralajmërim
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i ka kthyer përgjigje kryeministrit Albin Kurti në letrën e tij të dërguar ditë më parë në lidhje me de-përshkallëzimin e situatës në veri.
Në letër, Borrelli e falënderon Kurtin për angazhimin e tij, mirëpo i thotë se nuk i ka adresuar disa prej çështjeve kyçe që e kanë nxitur krizën aktuale dhe të cilat, thotë Borrelli, duhet të adresohen për të rikthyer qetësinë në veri të Kosovës.
“Më lejoni të përsëris elementet për de-përshkallëzimin të përcaktuara nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së dhe SHBA-ja, të cilat mbeten të vlefshme dhe që ne ju kemi kërkuar t’i ndiqni: Si hap i parë, katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë përkohësisht nga lokacione të ndryshme nga ndërtesat komunale. Këtë kërkesë tashmë e kanë pranuar kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit. Besojmë se kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë suaj politike, së shpejti do ta ndjekin shembullin”.
“Kemi kërkuar edhe ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës. Policia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet. Paralelisht, ne po kërkojmë nga Serbia që të mbështesë tërheqjen e elementëve radikalë nga këto zona. Pas de-përshkallëzimit, ne jemi të gatshëm të diskutojmë më në detaje marrëveshjet e sigurisë me KFOR-in/EULEX-in në katër komunat, të cilat ju i sugjeroni në pikën tre”.
“Gjithashtu kërkuam që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë presidentit Vuçiq. Sipas legjislacionit të Kosovës, ka mënyra të ndryshme të mundshme për thirrjen e zgjedhjeve të reja, ku më e lehta dhe më e shpejta është në kompetencën e kryetarëve të komunave”, ka thënë mes tjerash shefi i politikës së jashtme të BE-së.
Sa për pikat e tjera që Kurti i ka ngritur në letrën e tij, Borrelli thotë:
“Nuk mund të ketë mosndëshkim për dhunën e kryer më 29 maj dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij. Siç e dini shumë mirë, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe Presidentin Vuçiq me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar fillimisht dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që kemi të bëjmë me menaxhimin e krizave. 27 Shtetet Anëtare të BE-së si dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse de-përshkallëzimi është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni gati për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt”.
“Sa i përket ‘planit të renditjes’, tashmë keni marrë komente të detajuara nga ne për propozimin tuaj. Të dyja palët kanë marrë së fundmi një projekt-propozim të ri nga Lajçaku, i cili merr parasysh shumë nga sugjerimet tuaja. Ne jemi në pritje të reagimeve nga palët dhe presim që ky propozim të jetë i pranueshëm për të dyja”.
“Për sa i përket vlerësimeve të mundshme të përbashkëta të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të ketë ndodhur de-përshkallëzimi. Megjithatë, kjo do të thotë se ju do t’i merrnit plotësisht parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe do t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe koordinim paraprak me ta. Me keqardhje konstatojmë se ky nuk ishte rasti për operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë”.
“Unë ju bëj thirrje që të ndërmerrni hapa më të vendosur për të de-përshkallëzuar situatën, përgjatë linjave të masave të kërkuara nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët tanë amerikanë. Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, mund të fokusohemi në normalizim, përmes zbatimit të plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe aneksit të zbatimit; puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”.
“Siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtete anëtare të BE-së, dështimi për të de-përshkallëzuar do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet Anëtare janë informuar për masat dhe ne do t’i komunikojmë ato publikisht”.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri:
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave. /KlanKosova