Tërshëra, përbërësi sekret për fytyrë të pastër dhe pa akne

Zona e fytyrës është ndër më te paparashikueshmet e të gjithë trupit. 

Një ditë mund të zgjoheni me lëkurë të pastër e të hidratuar, ndërsa një tjetër mund të përballeni me shenja apo puçrra që nuk i kuroni dot. 

Në këtë situatë mendimi i parë janë kremrat apo medikamentet e shtrenjta, por jo gjithnjë zgjidhja gjendet vetëm aty. 

Sot AgroWeb.org ju rekomandon të provoni maskën me tërshërë e cila do të ju dhurojë lëkurë të pastër pa dalë fare nga shtëpia dhe në mënyrë shumë natyrale.

Ndiqeni atë mëposhtë dhe mblidhni përbërësit për ta përgatitur menjëherë edhe ju. 

Përbërësit për fytyrën

1 lugë çaji mjaltë

2 lugë çaji limon

2 lugë çaji tërshërë e bluar. 

Përgatitja

Bashkimi i këtyre tre përbërësve është një paketë vlerash për lëkurën e sidomos atë të fytyrës. 

Tërshëra është përbërësi kryesor këtu, pasi ka veti pastruese dhe funksionon si një kurë për fytyrat që kanë tendencë të shfaqin akne. 

Ajo do të thithë të gjithë yndyrën e tepërt dhe pikat e zeza.

Limoni nga ana tjetër është i pasur me vitaminë C që mbron lëkurën dhe e dezinfekton atë ndërsa mjalti ka veti të njohura anti bakteriale.

Për ta përgatitur këtë maskë merrni një enë të vogël, hidhni në të të gjithë përbërësit dhe përziejini. 

Tërshëra rekomandohet të jetë e bluar në mënyrë që të qëndrojë më mirë në fytyrë, por ju mund ta përdorni edhe në forma të tjera. 

Merreni masën vendoseni në fytyrë me duar, duke e përhapur me lëvizje rrethore dhe në pjesët me delikate ndaj akneve vendosni pak më shumë.

Kjo mënyrë do t’ju ndihmojë të nxirrni çdo papastërti nga fytyra juaj.

Pasi të keni mbaruar me lëvizjet për disa minuta, lëreni maskën mbi fytyrë derisa të thahet e më pas shpëlajeni me ujë të vakët.

Në fund vendosni hidratuesin tuaj të preferuar ose pak xhel aloe vera nëse po shkoni për të fjetur.