Pas tre vjetësh me COVID-19, Kosova e shpall të mbyllur gjendjen emergjente në shëndetin publik
Qeveria e Kosovës e shpalli sot të mbyllur emergjencën e shëndetit publik, që u shpall para tre vjetësh për shkak të pandemisë COVID-19.
Mbyllja e emergjencës së shëndetit publik erdhi me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cila theksoi se do të vazhdojnë të jenë në përcjellje të situatës.
“Pas tre vjetësh, saktësisht në mesin e marsit u shpall emergjenca e shëndetit publik. Ndërkaq, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë në zbatim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Deklaratën e OBSH-së të 5 majit 2023 për heqjen e gjendjes emergjente të shëndetit publik, kërkoj nga Qeveria të nxjerrë vendim për mbylljen e emergjencës të shëndetit publik…”, tha ministri Vitia, raporton Telegrafi.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë vlerëson se më nuk ka arsye për masa anti-COVID dhe si rrjedhojë kërkoi shfuqizimin e vendimit për masa.
Ministri i Shëndetësisë tha se së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse do të vazhdojnë të përcjellin me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe në përputhje me këtë do të marrin të gjitha vendimet e nevojshme për të ardhmen.