Alpinisti amerikan Jonathan Sugarman vdes gjatë ngjitjes në malin Everest
Një alpinist amerikan ka vdekur gjatë ngjitjes për në malin Everest të hënën, sipas një organizatori të ekspeditës.
“Jonathan Sugarman vdiq në Kampin 2 pasi filloi të mos ndihej mirë”, tha Pasang Sherpa për CNN.
Sugarmani me bazë në Seattle ishte pjesë e një ekspedite të organizuar nga International Mountain Guides (IMG) me bazë në shtetin e Uashingtoni.
Sherpa shtoi se “trupi i tij mbetet në kampin 2 me pjesën tjetër të ekipit të ngjitjes”.
Kjo vjen pasi Nepali ka lëshuar leje për një rekord 463 alpinistësh deri më 26 prill, për ekspeditat e këtij sezoni pranveror në malin Everest.
Pas vdekjes së Sugarman, Ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshoi një deklaratë.
“Mund të konfirmojmë se Dr. Jonathan Sugarman ndërroi jetë duke u ngjitur në malin Everest të hënën më 1 maj”,
Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe miqtë e tij", thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Ndryshe kujtojmë se Sugarman, MD, MPH, ishte, për shumë vite përpara daljes në pension, President dhe CEO i Qualis Health, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Seattle, e njohur si një lider kombëtar në përmirësimin e shëndetit të popullsisë.
Ai ishte i diplomuar në Kolegjin e Harvardit, Kolegjin e Mjekësisë "Albert Einstein" dhe Shkollën e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Komunitare të Universitetit të Washingtonit.
Ai shërbeu si profesor klinik në Departamentin e Mjekësisë Familjare dhe Epidemiologjisë në Universitetin e Uashingtonit dhe ishte anëtar i bordit të besuar të Spitalit Suedez në Seattle. I respektuar gjerësisht për punën e tij humanitare, Sugarmani punoi me Shërbimin Shëndetësor Indian në Shiprock, New Mexico.
Sugarmani kishte grumbulluar një koleksion mbresëlënës majash gjatë karrierës së tij, duke përfshirë këtu edhe një ngjitje prej 22,837 këmbësh në Aconcagua në Argjentinë dhe një ngjitje të suksesshme prej 20,310 këmbësh në Denali në Alaskë.
Sipas Uphill Athlete, ai bëri një udhëtim ngjitjeje në Ekuador në nëntor 2021 dhe u ngjit në Cotopaxi 19,347 këmbë dhe arriti në malin e sipërm prej 18,99 këmbësh Cayambe dhe 20,549 këmbë Chimborazo përpara se të kthehej mbrapa për shkak të rrezikut nga orteku.
Ai la pas gruan e tij, Terese Sullivan, në Seattle dhe vajzën e tij Maya Sugarman në Los Anxhelos. /Zëri