GIZ-i i dorëzon Ministrisë së Shëndetësisë pajisje 210 mijë euro për menaxhim të mbetjeve medicinale

Ministria e Shëndetësisë dhe Agjensioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar, kanë nënshkruar sot aktin e dorëzim pranimit të pajisjeve medicinale.

Këtë ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku edhe kanë njoftuar se GIZ-i ka siguruar për MSH-në pajisje për menaxhimin e mbetjeve medicinale në vlerë prej 208,675 euro, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Agjensioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) nënshkruan sot aktin e dorëzim pranimit të pajisjeve medicinale për mbeturina medicinale, të cilat GIZ-i i ka siguruar për Ministrinë e Shëndetësisë.

Në ceremoninë e këtij nënshkrimi ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde, të cilët paraprakisht zhvilluan një takim, ndërsa nënshkrimi i dorëzim-pranimit të pajisjeve u bë nga Sekretari i Përgjithshëm të MSh-së, Dr. Naim Bardiqi dhe drejtori i GIZ në Kosovë, z. David Oberhuber.

Ministri Vitia tha se sigurimi i pajisjeve për mbeturina medicinale është një kontribut i vlefshëm i Qeverisë së Gjermanisë përmes GIZ-it, në funksion të menaxhimit më të mirë të mbetjeve medicinale dhe ruatjes së shëndetit publik.

Ambasadori Joern Rohde tha se ky është një kontribut për ta ndihmuar menaxhimin e mbetjeve medicinale, për të ndihmuar për një Kosovë më të shëndetshme dhe gjithashtu për ta përgatitur Kosovën për rrugën e saj për në Bashkimin Evropian.

GIZ-i ka siguruar një numër të pajisjeve për menaxhimin e mbetjeve medicinale të cilat do t’u dorëzohen 34 Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna të Kosovës, sikurse edhe një transportuesi për bartje të mbeturinave medicinale.

GIZ-i, gjithashtu, në emër të Qeverisë Gjermane, është duke mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë të zhvillojë Planin për Menaxhimin e Mbeturinave Medicinale (PMMM).

Vlera e pajisjeve për menaxhimin e mbetjeve medicinale nga GIZ për Ministrinë e Shëndetësisë është 208,675.00 €. /Zëri