Shtatzëna fajësoi mjekët për humbjen e binjakëve, QKUK thotë se bëhet fjalë për abort
Klinika e Gjinekologjisë ka dalë me një sqarim publik lidhur me rastin e binjakëve që kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, rast ky për të cilin nëna e tyre ka fajësuar stafin e spitalit për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj, ka deklaruar se bëhet fjalë për abort.
“Klinika e Gjinekologjisë sqaron se pacientja e cila ka ardhur në klinikë përmes Shërbimit Emergjent të QKUK-së, në Zyrën e Pranimit me njërin fëmijë të dështuar në javën e 20/21, e ka sjellë me vete”, ka thënë Ndrejaj.
Sipas tij, fëmija tjetër ka qenë në proces të abortit dhe është dërguar në sallën e lindjes me ç’rast është kryer aborti.
“Edhe tek fëmija tjetër, pesha ka qenë 300 gram, pra, sipas OBSh dhe literaturës mjekësore kemi të bëjmë me dështim-abort, e jo me lindje”, ka thënë tutje drejtori i Gjinekologjisë.
Ai është shprehur se nuk ka pasur asnjë mundësi që të shpëtohet fryti në atë javë të shtatzënisë dhe me atë peshë.
Madje, ai ka thënë se qasja e personelit sipas deklaratave të tyre dhe pacientes ka qenë korrekte.
“Rrjedha e kryerjes së abortit ka shkuar mirë dhe gjendja e pacientes ka qenë e mirë. Vlen të ceket se pacientja nuk ka qenë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së asnjë ditë me parë”, ka përfunduar Ndrejaj.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj prokurorie ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për t’iu bërë autopsia dy foshnjave të pajeta.
Ulaj ka deklaruar se rasti është iniciuar “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
“Prokuroria në koordinim me institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast”, ka thënë ajo. /telegrafi