Libri i Sabri Hamitit, fitues i çmimit “Jakov Xoxa”

Libri “Stilografia” i shkrimtarit Sabri Hamiti është shpallur si fitues i çmimit “Jakov Xoxa: në kuadër të “Panairit të librit akademik e shkencor”.

Në fjalën e tij, shkrimtari Sabri Hamiti ka folur me nderime për Xoxën dhe krijimtarinë e tij letrare, shkruan Zeri.info.

Ai përmendi faktin se kryevepra e Xoxës “Lumi i vdekur” është një ndër kryeveprat e letërsisë shqiptare.

Hamiti tha se është i nderuar me këtë çmim dhe se e vlerëson shumë.

“Romani ‘Lumi i vdekur’, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë: për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip; për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri; e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.

Romani adhurohet sidomos për stilin e tij që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit”, u shpreh ai ndër tjerash. /Zëri