Arrijnë në Gjykatë tre të dyshuarit për sulmin ndaj Valon Sylës

Tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla janë sjellë në Pallatin e Drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’.

Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.

Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë. /express