Bill Gates thotë se thirrjet për të pezulluar Inteligjencën Artificiale s’do të “zgjidhin sfidat”

Thirrjet për të pezulluar zhvillimin e inteligjencës artificiale nuk do të “zgjidhin sfidat” përpara, tha për Reuters bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, komentet e tij të para publike që kur një letër e hapur ndezi një debat për të ardhmen e teknologjisë.

Gates deklaroi se do të ishte më mirë të përqendroheshim në mënyrën më të mirë të përdorimit të zhvillimeve në Inteligjencë Artificiale, pasi ishte e vështirë të kuptohej se si një pauzë mund të funksiononte globalisht, transmeton Telegrafi.

Intervista e tij me Reuters vjen pasi një letër e hapur që u publikua javën e kaluar dhe u nënshkrua nga Elon Musk dhe më shumë se 1,000 ekspertë të AI-s – kërkoi një pauzë urgjente në zhvillimin e sistemeve të AI-s.

Ekspertët, duke përfshirë bashkëthemeluesin e Apple, Steve Wozniak, thanë në letër se rreziqet dhe përfitimet e mundshme për shoqërinë duhet të vlerësohen.

“Unë nuk mendoj t’i kërkosh ndonjë grupi të caktuar të pauzojë këtë zhvillim mund t’i zgjidh sfidat”, tha Gates të hënën.

“Është e qartë se nga këto gjëra kemi përfitime të mëdha… ajo që duhet të bëjmë është të identifikojmë zonat e ndërlikuara”.