Digjen edhe tri vetura të tjera në veri me tabela RKS

Sot pas mesnatës në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura, që u përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veriore, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veriore.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, transmeton Zeri.info.

Pas dy veturave të djegura më datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, u është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat u përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘Zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt hetimit dhe zbardhjes së rasteve të tilla, si dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatë. /Zëri