Rifat Jashari nderohet me “Urdhrin e Lirisë”, krerët shtetërorë e quajnë Prekazin kryeqytet të kryengritjes shqiptare

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia ka ndarë përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jasharit, “Urdhrin e Lirisë”.

Këtë dekoratë Osmani ia ndau gjatë vizitës që pati në shtëpinë e Jasharëve me rastin e 25-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.

Osmani ka thënë se këto data janë mundësi e mirë që çdo qytetar të tregojë përkujtimin e tij për gratë dhe fëmijët e familjes Jashari.

“Ata nuk e kurseu regjimin gjenocidal të Serbisë. Siç e dini, në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5-vjeçarë dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes shqiptare, ndërsa familja Jashari tha se kujtohet me mall dhe me krenari.

“Para 25 vjetëve, 3 breza të Jasharëve luftuan 3 ditë rresht me mijëra forca policore të Serbisë që e kishin rrethuar kullën e Jasharëve, në mënyrë të shumëfishtë. Ranë gjithsej 59 veta. Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare për ta kujtuar e përkujtuar ‘Epopenë e UÇK-së’, që i dha hov dhe mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike e të lavdishme të Jasharëve.

“Përveç kësaj, edhe bashkësia ndërkombëtare lëvizi dhe e kuptoi luftën tonë mbrojtëse. Për popullin e Kosovës kjo mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme”, tha ai.