Nesër ditë zie në Kosovë
Të mërkurën më 8 shkurt do të jetë ditë zie në Kosovë për viktimat nga tërmeti që ka goditur Turqinë dhe Sirinë.
Ky vendim është marrë nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, transmeton Zeri.info.
Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja.
“Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen”
“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar”, ka shkruar Osmani. /Zëri