Shala i PDK-së akuzon Muratin se në heshtje i ndau mbi 757 mijë euro për AKP-në
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, që me një vendim të veçantë ka ndarë mbi 757 mijë euro për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Shala ka shkruar se “si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP-ja dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së”.
Postimi i plotë i Shalës, pa ndërhyrje:
Ministri Hekuran Murati me vendim të veçantë ia ndan AKP-së 757.802 euro për paga dhe mëditje, për muajt nëntor-dhjetor 2022.
Në vitin kur të gjithë ne pritnim shuarjen e AKP-së, Qeveria dhe Bordi i AKP-së kishin nxjerrë rregullore të re dhe kishin miratuar vendimin për uljen e pagave.
E vërteta del që AKP-ja gjatë tërë vitit 2022 kanë realizuar pagat e njëjta, pa i zbritur ato fare.
Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së.
Bordi i AKP-së po vazhdon shitjen e aseteve nacionale, me të njëjtën metodologji, me të njëjtën praktikë, pa ndryshuar asgjë nga praktikat e kaluara.