INTERPOL-i demanton Bërnabiqin: Në takim me të s’u trajtua çështja e aplikimit të Kosovës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u shpreh të mërkurën se INTERPOL-i ia kishte mbyllur dyert Kosovës.
Ajo tha se kishte marrë garanci nga presidenti i INTERPOL-it, Ahmed Nasser al Raisi, se aplikimi potencial i Kosovës për anëtarësim Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale nuk do të jetë në rend dite gjatë mandatit të tij.
Megjithatë, në një përgjigje nga INTERPOL-i kanë thënë se në atë takim nuk është adresuar çështja e ndonjë aplikimi potencial për anëtarësim.
“Përderisa zakonisht nuk komentojmë përmbajtjen specifike të një takimi bilateral, kur u shtrua çështja e anëtarësimit, presidenti konfirmoi se INTERPOL-i është një organizatë policore dhe nuk është përfshirë në diskutime politike. Presidenti nuk e trajtoi çështjen e ndonjë aplikimi të mundshëm për anëtarësim.”, thuhet në përgjigjen e INTERPOL-it.
Tutje në përgjigje thuhet se çdo vend mund të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL nëse i plotëson kriteret.
“Ju lutemi vini re se çdo vend mund të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL nëse plotëson kërkesat e përcaktuara në nenin 4 të Kushtetutës së INTERPOL-it, i cili përcakton kriteret dhe procesin për t’u bërë anëtar i Organizatës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Shtyp për tëvë1.info.
Kosova ka aplikuar tri herë për t’u anëtarësuar në INTERPOL, por nuk ka pasur sukses. Herën e fundit në nëntor të vitit 2018 pro anëtarësimit të Kosovës votuan vetëm 76 shtete.