Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1941-1945
Monografia e lartpërmendur përbën një studim të vlefshëm rreth një teme interesante të historisë sonë kombëtare, atë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
e ka ndërtuar studimin në bazë të një strukture të mirë menduar, e cila mundëson paraqitjen e tij mbi baza shkencore, mundëson analizat, përshkrimet dhe krahasimet e burimeve dhe të argumenteve historike. Autori ka shfrytëzuar një gamë të gjerë studimesh të autorëve shqiptarë e të huaj, dhe veçanërisht një seri koleksionesh dokumentare nga Arkivi Qendror i Shtetit të Shqipërisë (AQSH), Arkivi Historik i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë (AMPEJ), Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë (AIH), Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura të Shqipërisë (AQFA); Arkivi i Kosovës (ASHAK), Arkivi i Institutit të Historisë, Prishtinë, si dhe Arkivi Kombëtar i SHBA.
Dëshiroj të theksoj se përzgjedhja e kësaj teme ka qenë sa e guximshme aq dhe e vlefshme pasi është synuar që, përmes analizës dhe përqasjes autentike, të studiohet, një periudhë e mbushur me një veprimtari të ngjeshur politike, ushtarake dhe me shumë ngjarje historike.
Studiuesi Ademi, në hyrje paraqet qartë lëndën që trajtohet.
Në kreun I paraqitet gjendja e Kosovës deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është një paraqitje e shkurtër e problematikave historike, ku autori sjell edhe disa të dhëna të reja burimore lidhur me reformën agrare e kolonizimin e Kosovës.
Në kapitullin II trajtohet “Situata ndërkombëtare në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe reflektimi si saj në Kosovë”. Sythi i parë trajton “Krijimin e blloqeve ushtarako-politike ndërluftuese”. Në veçanti janë trajtuar marrëveshja e Hitlerit me Mussolinin, pastaj pushtimi i Shqipërisë nga Italia dhe reflektimi i sajë në Kosovë si dhe pushtimi i Jugosllavisë nga Gjermania
Kapitulli III, “Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore”, përbën thelbin e monografisë. Sythi i parë: “Pushtimi i Kosovës nga Fuqitë e Boshtit” analizon veprimet e forcave të boshtit në Kosovë, veprimin e forcave ushtarake jugosllave, te forcave paramilitare serbe si dhe qëndrimin e shqiptarëve. Sythi i dytë, “Ndarja e Kosovës në zona pushtimi” është i plotë dhe paraqet në mënyrë të detajuar tratativat midis Fuqive të Boshtit për ndarjen e kufijve në territoret shqiptare të pushtuara; rolin e shqiptarëve në këtë proces, organet e reja administrative e ushtarake në këtë territor, fizionominë e tyre, duke evidentuar rëndësinë e krijimit të administratës shqiptare dhe të veprimtarisë së saj. Një analizë interesante i bëhet politikës italiane për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, të cilën autori e argumenton saktësisht se ishte vetëm “Shqipëria Etnike” por e pa plotë, pasi asaj iu hoqën shumë territore etnikisht të pastra shqiptare. Larg komplekseve ideologjike e konjunkturale, autori shpjegon shumë qartë termat e lartpërmendura, si dhe veçon interesat e të drejtat shqiptare në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Etnike, nga ato të pushtuesve italianë e gjermanë. Në trajtesën që i bëhet ekonomisë së Kosovës në zonën e pushtimit italian (sythi III, 3.2), autori sjell të dhëna interesante për resurset natyrore, për prodhimin bujqësor. Këtu jepen edhe degët e tjera të ekonomisë, e kryesisht industria minerale. Sythi III, 3.3. “Zhvillimi i arsimit shqip në zonën e pushtimit italian”. është një trajtesë interesante e bazuar në burime autentike arkivore dhe zyrtare të pasura, që trajton politikat arsimore të qeverisë shqiptare, rezultatet e saj, si dhe shtrirjen e arsimit në të gjithë territorin e zonës së pushtimit italian. Në sythin III, 3.4. trajtohet “Pozita e shqiptarëve në zonën e pushtimit italian”, autori rendit avantazhet reale të shqiptarëve në planin politik, arsimor, social dhe ekonomik. Analiza e tij është e saktë dhe e balancuar.
Duke trajtuar pozitën e shqiptarëve në zonën e pushtimit gjerman autori sjell të dhëna interesante dhe autentike për pozitën specifike të shqiptarëve në këtë zonë, raportet e tyre me administratën civile qendrore serbe, por edhe me pushtuesin e ri gjerman. Jepet funksionimi i administratës lokale shqiptare dhe prerogativat e saj. Janë analizuar me imtësi edhe veprimtaria e kësaj administrate dhe entuziazmi që krijoi ajo tek shqiptarët. Këtu trajtohet edhe krijimi i qeverisë së Rexhep Mitrovicës dhe veprimtaria e saj. Një trajtim i shkurtër i bëhet edhe ekonomisë në zonën e pushtimit gjerman deri në shtator 1943 dhe më tej të gjithë ekonomisë së Kosovës deri në fundin e vitit 1944. Ndërsa arsimi shqip në zonën e pushtimit gjerman është trajtuar i plotë dhe i detajuar, duke evidentuar edhe specifikat e tij.
Në trajtesën që i bën zonës së pushtimit bullgar, autori Ademi, jep informacione konkrete dhe të hollësishme për lëvizjet e kufijve të kësaj zone pushtimi në kohë të ndryshme, si dhe kontradiktat që e shoqëruan ekzistencën e saj, në radhë të parë midis pushtuesve bullgarë e shqiptarëve, por edhe midis tyre dhe italianëve. Po kështu pasqyrohet pozita e vështirë e shqiptarëve. Autori analizon me saktësi dallimet me zonat italiane e gjermane në këtë drejtim. Ai përshkruan me imtësi dhe të argumentuar mirë politikën e grabitjes ekonomike, dhunës dhe terrorit politik, spastrimit etnik, punës së detyruar që aplikoi pushtuesi bullgar kundër shqiptarëve. Ai jep edhe ndonjë aspekt të qëndresës së shqiptarëve në këtë zonë, por e sheh këtë vetëm në një drejtim, në forcat që u inkuadruan në UNÇJ, pra forcat partizane dhe nuk trajton qëndresën e forcave nacionaliste.
Gjithashtu në këtë studim analizohet “Jeta politike në Kosovë në vitet 1941-1945”. Një trajtim konkret dhe i hollësishëm i bëhet ndikimit, shtrirjes dhe veprimtarisë së PKJ-së në Kosovë. Po kështu është pasqyruar edhe veprimtaria e Partisë Fashiste Shqiptare, rezultatet e kufizuara të penetrimit të saj në Kosovë. Janë trajtuar edhe organizatat nacionaliste shqiptare, si Lidhja Popullore Shqiptare (LPSH), duke evidentuar aktivitetin e saj për hapjen e shkollave shqipe në zonën e pushtimit gjerman, për fuqizimin e administratës shqiptare, për mbrojtjen e popullsisë nga çetnikët serbë etj. Është pasqyruar edhe veprimtaria e Ballit Kombëtar si dhe shtrirja dhe aktiviteti i kësaj organizate në Kosovë. Trajtohet Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizimi dhe synimet kombëtare të saj, krijimi i forcave të armatosura të saj, raportet me gjermanët etj.
Në kapitullin IV trajtohet “Rezistenca e shqiptarëve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Autori trajton në mënyrë të hollësishme etapat e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës nën udhëheqjen e PKJ, shkaqet që penguan një rezistencë më të gjerë etj. Po kështu, shifra 53 000 pjesëmarrësve në UNÇJ, është theksuar se u arrit vetëm në fund të luftës, ndërsa gjatë saj pjesëmarrja ka qenë fare e ulët. Autori bën edhe një analizë interesante të këndvështrimeve të ndryshme të historiografisë shqiptare të periudhës komuniste dhe postkomuniste rreth konceptit “Çlirim” versus “Ripushtim”. Në studim janë paraqitur edhe rezultatet e politikës së pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës në fund të Luftës së Dytë Botërore; është trajtuar lufta e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, ky është një trajtim i hollësishëm, ku janë bërë edhe analiza shkencore interesante. Po kështu është trajtuar edhe mobilizimi i shqiptarëve në frontin e Adriatikut, e posaçërisht masakra e Tivarit dhe ajo e Goricës, ku analizohen me seriozitet të dhënat rreth tyre. Trajtohet edhe formalizimi i aneksimit të Kosovës nga Serbia përmes Kuvendit të Prizrenit.
Në kapitullin V, autori trajton “Pozitën e serbëve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ai jep të dhëna interesante për largimin e kolonëve serbë nga zona e pushtimit italian dhe drejtimet e kësaj lëvizje të popullsisë, analizon lëvizjen çetnike. Këtu janë sjellë të dhëna autentike shumë interesante e konkrete lidhur me përmasat e largimit të kolonëve serbë nga Kosova, sipas çdo prefekture e nënprefekture. Autori argumenton konkluzionin, se ky largim ishte në përmasa të vogla dhe, më kryesorja, nuk ishte produkt i dhunës apo i politikave të spastrimit etnik të shqiptarëve.
Si përfundim, e vlerësoj pozitivisht këtë studim, pasi ai është shkruar mbi bazën e një metodologjie të drejtë shkencore, bazohet në burime dhe argumente të shumta dhe të sakta historike dhe gjithashtu përshkohet nga një analizë shkencore e kënaqshme, serioze dhe e balancuar. Spikat në studim kultura e të shkruarit akademik dhe për këtë arsye kjo monografi lexohet me interes dhe me ëndje. Un gjykoj se botimi i tij do të pritet me interes nga studiuesit, studentët dhe lexuesi më i gjerë i interesuar për historinë tonë kombëtare. Dëshiroj të përgëzoj autorin, Dr. Haxhi Ademi për punën serioze që ka bërë dhe t’i uroj atij suksese të tjera edhe më të spikatura në veprimtarinë shkencore.