Intervistë | Albina Kelmendi flet pas fitores: Plani i ardhshëm ta fitojmë edhe Eurovisionin

Këngëtarja nga Kosova Albina Kelmendi, bashkë me familjen e saj, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Liverpool të Britanisë së Madhe.

Këngëtarja pejane ka marrë bekimin e publikut nga Shqipëria dhe Kosova për të shkuar në Eurovision me këngën "Duje" të shkruar nga Eriona Rushiti dhe kompozuar nga Enis Mullaj.

Përveç si më e votuara nga publiku, Kelmendi ka marrë edhe çmimin e dytë nga juria profesionale e festivalit, ndërsa kjo ishte pjesëmarrja e saj e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, edhe pse sic ka thënë vet ajo, kishte ftesa edhe më herët për të qenë pjesëmarrëse.

Menjëherë pas fitores, Albina Kelmendi ka dhënë një intervistë ekskluzive për "Zëri.info", duke shprehur emocionet e para, mesazhin që ka kënga "Duje" dhe planet që ka për në Eurovision.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë që Kelmendi ka dhënë për "Zërin"

Intervistoi: Albert Limani

Zëri: Sapo jeni shpallur fituese me votat e publikut ku edhe do ta përfaqësosh Shqipërinë në Eurovision, kjo është hera parë që po merrni pjesë dhe fituar, na përshkruaj pak emocionet e para?

Albina Kelmendi: Po mundohem të shpreh gjithmonë atë kam brenda, por është shumë vështirë, kam pasur ftesë disa herë në këtë festival, por nuk jam ndjerë e gatshme të marrë pjesë me këngët që më janë ofruar, këtë e kam thënë disa here, kësaj here ka qenë dicka ndryshe, duke nisur nga kompozitori Enis Mullaj dhe tekstshkruesen Eriona Rushiti, arritëm me gjetë gjithë familja në këtë këngë,me sjell mesazhin dhe me punë arritëm që të vinim fuqishëm që të marrim pjesë për herë të parë dhe me fitu.

Albina Kelmendi me trofeun e vendit të dytë dhe çmimin e publiku / Zëri

Zëri: Cfarë kuptimi ka për ju fitorja në Festivalin e Këngës

Albina Kelmendi: Kjo do të thotë shumë për mu, shumë njerëz po mendojnë se e kam lën anash karrierën time artistike, unë kom vazhdfu kom punu aq shumë sa që sot të kthehem me fitore?

Zëri: Cili është mesazhi i këngës "Duje" që do të shkojë në Eurovision?

Albina Kelmendi: "Duje" do të thotë ta duam njëri-tjetrin, familja është mbi të gjitha, mos të harrojm traditat, ne jemi shembulli më i mirë i gjithë botë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen ndaj njëri-tjetrit kështu që të vazhdojmë të ruajmë këtë dhe mos ndryshojmë asnjëherë.

Zëri: Kur keni vendosur të merrni pjesë në "Festivalin e Këngës", a keni menduar se do të shkoni në Eurovision?

Albina Kelmendi: E kam menduar, me këtë qëllim kam ardhur, por gjithmonë me një rezervë. Ajo që ne kemi dashur është që publiku ta donte këtë këngë dhe ne e kemi kuptuar ditën e parë kur kënduam në Festivalin e Këngës përmes mesazheve, shikimeve e komenteve, por edhe prej artistëve të njohur që kanë shprendarë këngën e që nuk e kemi pritur, është dicka e papërshkrueshme.

Albina Kelmendi dhe familja e saj bashkë me orkestren e RTSH-së festojnë pas fitores / Zëri

Zëri: Ndoshta është herët, por cilat janë planet për Eurovision?

Albin Kelmendi: Planet janë me shku me fitu Edhe Eurovisionin [qesh].

Zëri: A ka mundësi?

Albina Kelmendi: Gjithmonë duhet me besu brenda vetes, në ëndërrat tua, ëndrrat që i kam pasur deri tani janë plotësuar, nuk do ndalem asnjëherë me fitu edhe Eurovisionin.

Zëri: Nëse keni një mesazh për lexuesit e "Zeri.info"?

Albina Kelmendi: Ju falenderojmë shumë për mbështetjen që na keni dhën dhe që na keni ndihmuar për të qenë këtu ku jemi, jemi shumë me fat që ju kemi.