Rekomandohet zhvillimi i Kodit të Praktikës për luftimin e gjuhës së urrejtjes

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka lansuar Raportin Vjetor me titull “Luftimi i gjuhës së urrejtjes seksiste dhe raciste”.

Aty janë paraqitur gjetjet kryesore nga monitorimi i portaleve dhe rrjeteve sociale ndaj grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, me fokus gratë, komuniteti LGBTI+, minoritetet etnike dhe personat me aftësi të kufizuara.

Rezarta Delibashzade Krasniqi, Drejtore Ekzekutive në Institutin D4D, ka treguar se përgjatë një viti, për aq sa është bërë monitorimi i 20,585 artikujve, janë analizuar 3461 prej tyre.

Nga ky raport kanë dalë gjithashtu edhe rekomandime për politikanë që synojnë luftimin e gjuhës se urrejtjes në platforma mediatike. Ndër rekomandimet kryesore janë zhvillimi i një Kodi të Praktikës së Kosovës në përputhje me standardet e BE-së që gjendet në Kodin e Përforcuar të Praktikës për Dezinformim (KPPD).

Delibashzade-Krasniqi rekomandon gjithashtu që edhe shoqëria civile dhe organizatat mediale të krijojnë dialog të qëndrueshëm dhe formal, me synim mbështetjen e zhvillimin e legjislacionit gjithëpërfshirës për dezinformim dhe lajme të rreme.

Ndërsa Edona Krasniqi, Drejtore e Departamentit për Grante, është shprehur se zakonisht në media, po ashtu edhe në rrjete sociale, është parë që “gjuha që përdoret deri tani për të përshkruar brengat e grupeve të ndryshme, si të komunitetit LGBTI, personave me aftësi të kufizuar dhe grave kanë edhe një ndikim të madh edhe tek opinioni publik”.

Niman Hajdari, zëvendës Avokat i Popullit ka thënë se “çka është e rëndësishme është edukimi për të drejtat e njeriut sepse është domosdoshmëri për një shoqëri demokratike”.

“E ky edukim duhet të ndodh si në shkolla, si në universitet sepse duke mos pasur një edukim kemi raste të tilla ku atakohen grupe të ndryshme shoqërore. Mirëpo duhet të dimë që liria e shprehjes është absolute mirëpo mbaron aty ku atakon tjetrin”, deklaroi Hajdari.

Edhe Marigona Shabiu nga YIHR, ka treguar se “kur është atakuar komuniteti LGBTI nuk kanë pasur kurrfarë reagimi dhe mbështetje publike, as nga aspekti politik, as nga ai shoqëror”.

Bajram Ilazi, nga Voice of Roma, Ashkali dhe Egjiptian, thotë se “pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian nuk ndërveprojnë me komunitetin shqiptar, andaj kjo lë të nënkuptojë që ata paragjykohen”. /klankosova