Ushqimet “Fast-food” a shtojnë rrezikun për harresë dhe mungesë orientimi
400-500 kalori në ditë të marra në formën e ushqimeve fast food mjaftojnë për të shtuar rrezikun e harresës, mungesës së orientimit apo të humbjes së fillit logjik.
Një studim i kohëve të fundit thotë se më shumë se 400-500 kalori në ditë të marra përmes ushqimeve fast food, si për shembull hamburger, një gjysmë pice të ngrirë, apo ushqimeve të konservuara si patatinat apo ëmbëlsirat e ndryshme, mjaftojnë për të shtuar rrezikun e dëmtimit të aftësive konjitive duke çuar në harresë, mungesë orientimi, paaftësi për të përfunduar fjalitë apo një mendim apo humbje të fillit logjik.
Studimi, në të cilin gjatë një periudhe 8-vjeçare u përfshinë 10.775 burra dhe gra në Brazil, arriti në përfundimin se njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime të gatshme apo të ngrira, preken 28% më shumë nga humbja e aftësive konjitive, krahasuar me njerëzit që i konsumojnë shumë rrallë këto ushqime.Studimi i publikuar në revistën shkencore "JAMA Neurology” evidentoi se dy vendet më të prekura janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ku njerëzit konsumojnë më shumë se 50% ushqime të përpunuara në ditë.
Ushqimi - vetëm një prej faktorëve
Gjithsesi ekspertët theksojnë se të dhënat nuk janë "të prera me thikë”. "Ky studim thjesht provon se ka një lidhje mes konsumit të ushqimeve fast food dhe humbjes së aftësive konjitive” – thotë Duane Mellor, dietolog në universitetin Aston në Mbretërinë e Bashkuar, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë studim.
"Problemi është se janë të dhëna vëzhguese, pra nuk ka prova shkakësore”. Mellor thekson se studiuesit dinë mjaftueshëm për ndikimin negativ që kanë ushqimet fast food dhe ato të konservuara në shëndetin e njerëzve. Sidoqoftë, thotë ai, është e vështirë të thuhet nëse këto ushqime janë më të dëmshme se ato me shumë yndyrë, kripë dhe sheqer.Ekspertët thonë se ky studim ka dështuar në gjetjen e faktorëve të tjerë që kontribuojnë në humbjen e aftësive konjitive. "Mund të jetë më e mundshme që këta njerëz që kanë ngrënë shumë ushqime të tilla, të kenë ngrënë më pak ushqime të shëndetshme si perime, fruta, arra, farëra dhe bishtaja” – tha Mellor.
Shëndeti konjitiv është çështje shumë e ndërlikuar dhe humbja e aftësive mund të shkaktohet si pasojë e shumë faktorëve të tjerë veç ushqimit, siç është mungesa e aktivitetit fizik, pirja e duhanit, alkooli, si dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe metabolike. Ky studim nuk i përfshin këta faktorë në analizën e tij. "Kjo e bën të pamundur daljen në përfundime të tilla” – thotë Gunter Kuhnle, profesor për ushqimin dhe shkencat ushqimore në universitetin Reading në Mbretërinë e Bashkuar.
Probleme shëndetësore madhore në mbarë botën
Ushqimet e pashëndetshme po shkaktojnë probleme shëndetësore madhore në mbarë botën. Pavarësisht kundërshtive rreth studimit të fundit, ekspertët mjekësorë dhe nutricionistët si Mellor, dakordësohen se dieta dhe ushqyerja janë dy nga faktorët madhorë të rrezikut për shëndetin e njerëzve në mbarë botën. Faktet tregojnë se obeziteti është sot një problem më shqetësues se uria.Ushqimet me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë, të përpunuara ose jo, janë shkaktare për obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe rritjen e vdekshmërisë në shkallë botërore.
Një tjetër raport i kohëve të fundit nga "Global Panel on Agriculture and Food Systems Nutrition”, grup i pavarur ekspertësh shëndeti dhe nutricionistë, thotë se vendet në zhvillim, ku shitja e ushqimit të përpunuar po rritet me ritme të shpejta, janë veçanërisht të rrezikuar në vitet e ardhshme.Sipas raportit mbi tre miliardë vetë nuk i kanë mundësitë për ushqime të shëndetshme e për pasojë kanë një ushqyerje të varfër.
Si mund të ushqehemi më shëndetshëm?
Nuk është kurrë vonë për t'u ushqyer shëndetshëm. Studimet tregojnë se modele të të ushqyerit si për shembull, ushqimi Mesdhetar, ndihmojnë në pakësimin e rrezikut për humbjen e aftësive konjitive dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Ushqimi Mesdhetar përmban ushqime të freskëta, pa shumë yndyrë, kripë dhe sheqer.
"Përpiquni të shijoni një dietë të thjeshtë dhe të larmishme, të bazuar tek perimet, arrat, bishtajoret, farërat dhe drithërat dhe hani në sasi të moderuara prodhime bulmeti dhe mishi të freskët” – thotë Mellor./dw