Ministri Çeku pret që FIFA ta dënojë Serbinë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, tha se Federatës Botërore të Futbollit nuk do t’i duhet shumë kohë që të hetojë dhe të marrë vendim ndaj Federatës serbe të Futbollit, lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi.
Më 5 dhjetor, FIFA njoftoi se ka nisur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, nën dyshimet se kombëtarja serbe ka shkelur disa rregulla gjatë ndeshjes me kombëtaren e Zvicrës, të luajtur më 2 dhjetor në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit.
"Faktet janë publike, shkeljet janë shumë lehtë të konstatueshme dhe të dokumentueshme. Tanimë mbetet vetëm të zhvillohet procedura dhe të konstatohet lartësia e dënimit për Serbinë”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.Më 4 dhjetor, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), njoftoi se kishte kërkuar nga FIFA që të hetonte dhe sanksiononte kombëtaren serbe, për shkak se tha se gjatë ndeshjes me Zvicrën, janë dëgjuar "fyerje të rënda nga trajneri i përfaqësueses së Serbisë" në drejtim të shqiptarëve dhe se janë vërejtur "veprime raciste nga tifozët serbë".
Në përfaqësuesen e Zvicrës luajnë lojtarë me prejardhje shqiptare, përfshirë Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin me prejardhje nga Kosova, dhe Ardon Jasharin me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
Çeku tha se ministria e tij është vazhdimisht në kontakt me FFK-në, për t'i ofruar "mbështetjen e nevojshme institucionale".
“Sjellja e trajnerit, futbollistëve dhe tifozëve të Serbisë është skandaloze, është e turpshme, është shkelje flagrante e rregullave të Kampionatit Botëror dhe rregulloreve të FIFA-s dhe është, padyshim, edhe një tjetër dëshmi e sjelljes shoviniste serbe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi”, tha Çeku.
FIFA tha se Federata serbe e Futbollit dyshohet për shkeljen e tri neneve të Kodit Disiplinor, përkatësisht nenet që kanë të bëjnë me sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve, diskriminim dhe sigurinë e ndeshjes.
Ndeshja midis Zvicrës dhe Serbisë është përcjell me tensione dhe ka pasur përplasje midis lojtarëve serbë dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.
Kjo është procedura e dytë disiplinore që FIFA inicion ndaj Serbisë. Në nëntor, pas një ankese të FFK-së, FIFA hapi procedurën disiplinore për shkak të shfaqjes së një flamuri në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.