Tifozja që bëri shqiponjën në stadium gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi: S’pranova ta jap flamurin
Anila Mahalla, vajza e cila bëri shqiponjën në stadiumin “974” në Katar, gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, ka folur në lidhje me përjetimet që pati atje.
Mahalla u shpreh për Euronews Albania se në stadium, kishte me vete flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo nënvizoi se flamurin shqiptar ia morën, ndërsa atë të Kosovës, jo.
“Unë i kisha të dy flamujt. E panë flamurin e Shqipërisë, vetëm të Kosovës nuk e panë. Për fat të mirë dhe për fat të keq e morën njërin, atë kisha dhe atë shpalosa. Ne jemi shqiptarë, jam nga Kosova. Nuk ma morën sepse nuk lejova të ma merrnin. Isha në mes të tifozëve serbë, kishte tension.
Kisha shumë kërkesa prej tyre që të largoj flamurin e Kosovës edhe unë po brohorisja shqipe, Shaqiri, Xhaka. Në momentin që erdhi goli i dytë, isha e vetmja në këmbë duke festuar. Kishte shumë mesazhe ofenduese dhe kërkesa që unë të largohem nga aty. I kanë thënë sigurimit që të largohem unë ose flamurin”, theksoi ajo.