Ejupi: Nga kapiten Xhaka e Shaqiri presim që sot të na dhurojnë kënaqësinë e spektaklin si në vitin 2018
Gjithë shqiptarët sot janë duke pritur me emocione ndeshjen e sotme në kuadër të Botërorit 2022 në Katar, mes Zvicrës dhe Serbisë.
Biznesmeni Remzi Ejupi, ka thënë se deri tani Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë pasur fatin që si shtete të përfaqësohen në Botërore, por atje tashmë ka shqiptarë si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, nga të cilët tha se pret të na bëjnë krenarë si në vitin 2018, kur Zvicra u ballafaqua me Serbinë në fushën e gjelbërt.
“Ne shqiptarët, fatkeqësisht nuk e kishim mundësinë dhe fatin të përfaqësoheshim në Kampionate Botërore me ndonjërin prej dy shteteve tona. Por, ne gjithmonë e kishim dhe e kemi një pjesë dhe një hise tonën në këtë garë prestigjioze të futbollit. Krejt kjo falë djelmoshave tanë të artë, duke u nisur prej Ramës, për të vazhduar më pas me Behramin, Xhemailin, Kasamin... e deri tek treshja aktuale e shqiponjave: Xhaka, Shaqiri e Jashari”, ka shkruar Ejupi.
Ai ka thënë tujte se Zvicra do ta zhvillojë sonte ndeshjen vendimtare kundër Serbisë, ndërsa ka uruar që Xhaka e Shaqiri të na gëzojnë me paraqitjen e tyre dinjitoze.
“Sonte, Zvicra, njëri prej shteteve më mike dhe më mikpritëse të shqiptarëve, do ta zhvillojë një ndeshje mjaft të rëndësishme, apo më mirë të themi vendimtare kundër Serbisë.
Uroj që, edhe në këtë sfidë, njëjtë sikur para pak më shumë se katër vjetësh, ambasadorët tanë në "Katar 2022", Xhaka e Shaqiri, të na gëzojnë dhe të na bëjnë krenarë me paraqitje dinjitoze dhe të jenë prapë protagonistë në fushë me "Helvetikët".
Sonte, zviceranët dhe shqiptarët janë bashkë, në kërkim të së tetës së finales së Kupës së Botës. Hopp Schëiiz!”, ka shkruar Ejupi.
Kujtojmë se ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë në Katar do të zhvillohet sonte prej orës 20:00 . /Zëri