Çitaku: Kurti të mos krijojë tensione, SHBA-ja nuk na e ka borxh mbështetjen

Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së ka folur për tensionet që u krijuan javëve të fundit për shkak të çështjes së targave, e cila u zgjodh me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Pra kryeministri, në vend se të harxhojë kohë, të krijojë tensione dhe animozitete me aleatët tanë për targat, duhet të insistojë që ta përmirësojë draft-propozimin që më herët është quajtur franko-gjerman e tash po quhet evropian”- ka thënë Çitaku.Ajo ka thënë se ShBA-të nuk e kanë për borxh përkrahjen e përhershme të Kosovës.

“SHBA-ja nuk na e ka borxh mbështetjen e përhershme dhe të pakusht. Aleanca dhe partneriteti kërkojnë dy palë. Ne duhet të tregohemi aleatë dhe partnerë seriozë dhe jo të paparashikueshëm”- ka thënë ajo për Nacionale.

“Unë nuk e kam parë planin franko-gjerman. E di që kryeministri i Kosovës e ka ndarë planin me kryetarin e PDK-së dhe me liderë të tjerë të opozitës. Nga ne është kërkuar diskrecion. Dhe ne do të përpiqemi të jemi të kujdesshëm në deklarime në mënyrë që të mos e dëmtojmë procesin” – vlerësoi Çitaku.