Belgjika mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri belg Alexander De Croo kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Deklarata u nënshkrua në Kiev të shtunën, më 26 nëntor, sipas një korrespondenti të Ukrinform.
“Falënderoj Belgjikën, për deklaratën e përbashkët të nënshkruar sot. Ky dokument vërteton mbështetjen e Belgjikës për lëvizjen tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian dhe NATO.
Ne patjetër do ta arrijmë këtë rezultat të rëndësishëm për ne,” tha Zelensky gjatë takimit.
Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar, nevojën për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe problemet me destabilizimin e marrëdhënieve globale.
Një sërë çështjesh u diskutuan gjithashtu gjatë negociatave, duke përfshirë gjendjen e sistemit energjetik të Ukrainës pas sulmeve me raketa të Rusisë dhe nevojën e Ukrainës për rindërtimin e vendit.
“Belgjika është e gatshme të sigurojë gjeneratorët e nevojshëm të energjisë dhe pajisjet e tjera që tani janë jetike për shoqërinë tonë, për Ukrainën në tërësi,” tha Zelensky.
Zelensky falënderoi De Croo për ndihmën ushtarake tashmë të ofruar për Ukrainën dhe bëri thirrje për zgjerimin e saj. /abcnews