Kurti: Aplikojmë në dhjetor për anëtarësim në BE
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti.
Ai kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens.
“Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor”, ka njoftuar gazetari përmes një postimi në Twitter.
Martens shkruan se kryeministri Kurti në këtë intervistë ka treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi se po ashtu në intervistë u trajtuan shumë çështje të tjera si udhëtimi pa viza për kosovarët në BE që nga viti 2024, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës etj.
“Së shpejti. Jo në një kinema pranë jush, por në Frankfurter Allgemeine Zeitung”, paralajmëroi ai. /express