“Daily Mail” reportazh në qytetin shqiptar për të shpjeguar emigrimin: Dukej sikur të rinjtë ishin zhdukur nga murtaja
Mediat britanike po interesohen gjithmonë e më shumë për Shqipërinë. Disa për të dëshmuar bukuritë turistike, të tjerë për të kuptuar origjinën e fenomenit të emigracionit klandestin në Britaninë e Madhe, që gjatë këtij viti ka marrë dimensione masive nga vendi ynë.
Një reportazh i sotëm i “Daily Mail”, e fillon këtë rrugëtim jo nga qytetet e veriut që merren zakonisht si shembull, por nga Cërriku. Qyteti i Shqipërisë së Mesme përshkruhet si një qendër dikur e gjallë falë industrive të saj, por që nga rrëzimi i komunizmit ka filluar një trend shpopullimi të theksuar, aq sa e përshkruan si një “ghost town”, pra si një qytet fantazmë.
“Kur arrita në shesh, në muzg, ato pak fytyra që pashë ishin të vjetra dhe të dëshpëruara. Dukej sikur brezi i ri i qytetit ishte zhdukur nga ndonjë lloj murtaje që zgjidhte sipas moshës. Dyqanet nuk kanë klientë, shtëpitë janë bosh, shkollat ëkanë aq pak nxënës sa përdoret vetëm një pjesë e vogël e klasave”, thuhet në përshkrimin e gazetarit David Jones.
Emigranti shqiptar rrëfehet për BBC pas dëbimit nga Britania e Madhe: Do të doja të mos kisha hyrë kurrë ilegalisht
Ai virus që ka boshatisur qytetin shqiptar, ai e përkufizon në emigrimin masiv. Diçka që ai gjen, edhe pse jo aq i dukshëm, edhe në Tiranë, ku më së shumti sipas tij po ikin truri i vendit, veçanërisht, mjekë, inxhinierë dhe ekonomistë që mund të jenë shpresa e vendit, por që braktisin Shqipërinë për shkak të korrupsionit, mungesës së shërbimeve dhe pagave të ulëta.
“Më shumë se 3 mijë mjekë dhe profesionistë të shëndetit kanë emigruar në Gjermani, dhe tani mund të vijnë edhe në Britani. Në qoftë se kjo ndodh, humbja e Shqipërisë do të ishte fitorja e Britanisë, por në atë rast nuk do të mbetej asnjëri për të rindërtuar atë vend aq të bukur ”, përfundon artikulli i Daily Mail. /a2cnn