Kurti: Njohja nga Serbia pritet në pranverën e vitit të ardhshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të mos jap intervista në Kosovë dhe as mos të shpalosë se çfarë përmban propozimi franko-gjerman, mirëpo shumë më jo konfiedencial është treguar në një intervistë për televizionin malazez “Gradska” në emisionin “Aritmia” me autore Tamara Nikçeviç.
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që të kujton atë mes dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të mundësojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, tha Kurti në këtë intervistë.“Që nga 9 shtatori i këtij viti, ne kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave tona të ardhshme, të cilat duhet të fillojnë menjëherë”, pohoi ai, duke shtuar se marrëveshjen e pret brenda pranverës së vitit të ardhshëm.
“Në fakt thuhet se brenda pak ditësh (do të fillojnë bisedimet) dhe deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, deklaroi kryeministriMarrëveshja tha ai “është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”.
“Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka thënë Kurti.Plani, tha Kurti, është që javën e ardhshme ose javën në vijim të organizohet një takim në Bruksel, ku do të fillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.
Problemi, sipas Kurtit, është të besohet se Aleksandër Vuçiç do ta respektojë marrëveshjen.
“Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Do të punoj që nënshkrimi i marrëveshjes dhe zbatimi i saj të vijnë në të njëjtin kontekst”, thekson Kurti.
Ai beson se nuk do të jetë e lehtë, por edhe e pamundur.
“Tani kemi si garanci Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Uashingtonin. Prandaj ne e shohim këtë deklaratë si një hap pozitiv, progresiv në drejtimin e duhur”, pohoi Kurti.
“Por, duke marrë parasysh situatën me Kinën dhe Rusinë, të cilat nuk janë vende demokratike dhe që janë në tension të madh me Perëndimin demokratik dhe kanë të drejtën e vetos, nuk është shumë racionale të pritet që ata të ndryshojnë mendimin e tyre në një pak muaj”, beson Kurti.
Krahas marrëveshjeve mes dy shteteve, shton ai, është e nevojshme edhe përballja me të kaluarën.
“Pra, Willy Brandt nuk e nisi Ostpolitik në fillim të viteve 70 me një marrëveshje dhe negociata, por duke shkuar në Varshavë. Mendoj se në Serbi është shumë e rëndësishme që të ndodhë një përballje e tillë me të kaluarën. Kjo është mirë për të tashmen tonë, por edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.
I pyetur nëse ka ndokush në Serbi sot që do të bënte një gjest si kancelari gjerman i atëhershëm Willy Brandt – i cili u gjunjëzua para monumentit të viktimave hebreje të Holokaustit, Kurti thotë: “Në Serbi sigurisht që ka njerëz të tillë, por ata janë individë dhe nuk kanë vend për veprim”.
“Ata nuk kanë forcën dhe fuqinë që vjen me pushtetin, pra janë në opozitë dhe janë në opozitë jashtëparlamentare. Tani ndoshta do të duhet pak kohë, por po jetojmë në kohë të vështira dhe të çuditshme”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.
Marrëveshja e ndërsjellë për njohjen dhe normalizimin e marrëdhënieve nënkupton se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe se nuk do të mbështesë një ulëse në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, shton ai, gjërat janë ende të hapura sepse negociatat do të fillojnë.
“Jam i bindur se Serbia do të donte që këto negociata të zgjasin nja dy vjet, derisa të ndryshojnë kushtet botërore dhe nuk e kam fjalën vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Ky është një këndvështrim i ekstremit të djathtë për jetën dhe botën, dhe mendoj se në Serbi, rolin kryesor këtu nuk e ka presidenti Aleksandër Vuçiç, por Kisha Ortodokse Serbe, e cila është e lidhur ngushtë me Moskën, Universitetin e Beogradit dhe mediat, të cilat janë më shumë të lidhura me Kishën dhe Rusinë sesa me pushtetin politik. Mendoj se ata kontrollojnë diskursin e Serbisë”.
Edhe pse shprehet optimist, Kurti thekson se normalizimi i plotë duhet të përfshijë drejtësinë tranzicionale, pa të cilën, shton ai, nuk mund të ketë pajtim. Dhe drejtësia, thotë, nuk arrihet vetëm në gjykatë.
“Kjo po ndodh në opinionin publik dhe në faktin që politikanët, intelektualët dhe shoqëria civile po flasin për këtë. Dhe në këtë mënyrë distancohen nga regjimi i Millosheviç-it dhe nga krimet që ai ka bërë gjatë luftës në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë”, shpjegon Kurti.
Si përkujtim të vrasjeve politike të Ivan Stamboliç-it, Zoran Gjingjiç-it dhe Oliver Ivanoviç-it, Kurti thotë se Serbia nuk ka të ardhme evropiane pa u distancuar nga Millosheviç-i, por edhe nga Rusia zyrtare, pra siç thekson ai, presidenti despotik Putin. /Albanianpost