OVL e UÇK-së: S’na ftuan në festën e 28 Nëntorit

Për nder të festës së 28 nëntorit, ditës së Pavarësisë, Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë organizoi një festë, ku nuk u ftuan Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Për këtë ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Faton Klinaku, i cili ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ndodh ky injorim, raporton Zeri.info.

Klinaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se ata nuk u ftuan as nga Qeveria e Kosovës në hapjen e ekspozitës me 110 pikturat e Rexhep Selimit.

“Vetëm si rezultat i luftës së UÇK-së, shënohet zyrtarisht edhe në Kosovë, Pavarësia e Shqipërisë, dhe poashtu vetëm si rezultat i luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja, janë bërë të mundshme aktivitetet kulturore, e edhe ekspozita me 110 piktura të Rexhës. U pëlqeu ose jo, ne jemi ata që e prezentojmë luftën, çlirimin, bartësit, luftëtarët dhe vlerat e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim. /Zëri