Cila është baza ligjore për kthimin e serbëve të dorëhequr në institucionet e Kosovës

Pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët janë larguar nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës dhe nga Policia, mund të kthehen në pozitat e tyre nëse dëshirojnë, sepse procedurat ligjore për shkarkimin e tyre janë ende në vazhdim.

Megjithatë, ekziston mundësia që ata të përballen me masa disiplinore për shkak të veprimeve të tyre, pra për shkak të vendimit për t'u larguar nga institucionet për arsye politike, thonë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në fillim të muajit nëntor, më shumë se 550 policë u larguan nga postet e tyre në komunat në veri të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës.

Dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës

Që nga fillimi i nëntorit, qytetarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucione të ndryshme në Kosovë.Të njëjtën gjë e kanë bërë rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe personel administrativ nga sistemi gjyqësor në komunat në veri, ku jeton popullata shumicë serbe - Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potok.

Së bashku me përfaqësuesit politikë nga radhët e Listës Serbe, ata shtruan dy kërkesa për kthim në institucionet e Kosovës: pezullimin e vendimit për riregjistrimin e veturave në targa RKS (Republika e Kosovës) dhe formimin e Asociacioni e komunave me shumicë serbe.

Kurti: Kthimi i serbëve në institucione nuk mund të jetë politik

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 23 nëntor për targat, sipas së cilës Prishtina zyrtare është zotuar që të ndërpresë aktivitetet e mëtutjeshme lidhur me riregjistrimin e veturave dhe Beogradi të mos lëshojë më targa të reja për qytetet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni.

Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 24 nëntor se kthimi i serbëve në institucione nuk mund të jetë politik dhe se është çështje ligjore dhe kushtetuese.Ai ka theksuar se u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që të mos dalin nga institucionet e Kosovës, por se nuk u ka bërë thirrje që të kthehen tani.

“Nuk kam të drejtë t’iu them kthehuni. Shkuarja e tyre është akt individual, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.

Kthimi i punonjësve të drejtësisë

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi sqaron se procedura për largimin e punëtorëve nga sistemi gjyqësor nuk ka përfunduar ende dhe se ata mund të kthehen në pozitat e tyre, por thekson se mund të përballen edhe me masa disiplinore, përfshirë largimin nga puna.

Sipas ligjit, dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të miratohen nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës, ndërsa vendimi për shkarkimin i dërgohet Kryesisë, e cila duhet të dekretojë brenda 30 ditëve.

Miftaraj thekson se kjo procedurë ende nuk ka përfunduar dhe se gjyqtarët dhe prokurorët serbë ende konsiderohen pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë të drejtën të refuzojnë aktet e dorëheqjeve të tyre, dhe të njëjtit të vazhdojnë punën në gjyqësorin e Kosovës, por që kjo nuk i pengon mekanizmat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për të iniciuar procedura disiplinore ndaj tyre për shkelje disiplinore”, thotë Miftaraj.

Ai shton se nuk ka dyshim se do të merren masa ndaj kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, për shkak se ka marrë pjesë në një tubim politik dhe ka mbajtur fjalime politike.

“Një veprim i tillë hyn në kuadër të shkeljeve të rënda disiplinore, ku si masë disiplinore mund të hyjë edhe shkarkimi i tyre”.Stevanoviq ka marrë pjesë në një protestë në Mitrovicën Veriore më 6 nëntor, të organizuar nga Lista Serbe, partia kryesore serbe që vepron në Kosovë me mbështetjen e Beogradit dhe Partisë Progresive Serbe të presidentit serb, Vuçiq.

Ajo, gjithashtu, mori pjesë në një protestë të grave më 23 nëntor, e cila u organizua gjithashtu nga Lista Serbe, partia kryesore serbe që vepron në Kosovë me mbështetjen e Beogradit dhe Partisë Progresive Serbe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Po policët?

Në bazë të Udhëzimit Administrativ për punësimin në Policinë e Kosovës, zyrtarët policorë që japin dorëheqje vullnetarisht, nuk kanë të drejtë të kthehen apo të punësohen në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, procedura është që një punonjës policie duhet të paralajmërojë dorëheqjen në Drejtorinë e Personelit 30 ditë përpara, ndaj procedura për shkarkimin e tyre është ende në vazhdim. Policët kanë dorëzuar dorëheqjet ditët pas 5 nëntorit, kur në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq është marrë vendimi për largim nga institucionet e Kosovës.

Fillimisht ishte suspenduar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Nenad Gjuriq, për shkak se kishte kundërshtuar të zbatonte masat e Qeverisë së Kosovës për targa serbe. Kurse, dorëheqjen e ka dorëzuar shefi i operacioneve, Aleksandar Filipoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më pas u dhuroi atyre Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Shkallës së Parë dhe Medaljen e Artë për Guxim.

Lajmi i plotë:

https://www.evropaelire.org/a/baza-ligjore-per-kthimin-e-serbeve-ne-institucionet-e-kosoves-/32148988.html