Osmani pret në takim Xhaçkën: Bashkëpunimi me Shqipërinë, prioritet yni
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Bëhet e ditur se në këtë takim, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve.
Ndër të tjera thuhet se presidentja Osmani dhe ministrja Xhaçka kanë diskutuar fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Presidentja Osmani në këtë takim ka theksuar vendosmërinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në KE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Ajo ndër të tjera ka folur edhe për raportet me Serbinë, duke thënë se ky shtet tenton ta destabilizojë veriun duke përdorur strukturat ilegale atje.
“Sipas Presidentes Osmani, Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në komunikatë. /Zëri