Drejtori sportiv i FC Prishtinës Driton Krasniqi i shuan spekulimet: Prishtina s’ka menduar asnjëherë ta zëvendësojë Munishin
Media të ndryshme të shkruar ditët e fundit kanë spekuluar lajme rreth klubit të FC Prishtinës në lidhje me të ardhmen e trajnerit Ismet Munishi.
Shqip.com e ka kontaktuar drejtorin sportiv të klubit më të madh në vend, Driton Krasniqi për ta sqaruar çështjen në fjalë.
Krasniqi ka thënë se FC Prishtina është shumë e kënaqur me punën e bërë nga shtabi teknik në krye me Ismet Munishin.
“Ne jemi shumë të kënaqur me punën e trajnerit Ismet Munishi dhe shtabit teknik. Në asnjë moment nuk kemi menduar për zëvendësim të trajnerit dhe nuk kemi biseduar me asnjë trajner pasi që e kemi trajnerin Munishi me të cilin jemi shumë të kënaqur. Dihet se në javën e fundit kemi kaluar nëpër krizë të rezultateve e mendoj se çdo klub ka kaluar e do të kaloj nëpër kriza të tilla. Skuadra jonë po e vazhdon punën në qetësi dhe besojmë fuqishëm se së shpejti do t’u rikthehemi rezultateve pozitive”, ka thënë Driton Krasniqi të premten.
Prishtina pas 16-të ndeshjeve të zhvilluara ndodhet në pozitën e katërt me 23 pikë të grumbulluara.
Ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Trepçës ’89 të dielën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.
Stinorin vjeshtor e përmbyll me ndeshjen ndaj Ballkanit, e cila zhvillohet më 11 dhjetor në Suharekë.