Xhaçka: S’ka asnjë justifikim për ta zvarritur më tej liberalizimin e vizave për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave po i pikëllon jo vetëm shqiptarët në Kosovë, por edhe vëllezërit e tyre në Shqipëri.Xhaçka tha se izolimi që i është bërë Kosovës duke mohuar liberalizimin e vizave është më shumë se i padrejtë.
“Së fundmi dy fjalë lidhur me një çështje që me të drejt i pikëllon jo vetëm shqiptarët këtu në Kosovë, por edhe vëllezërit e tyre në Shqipëri dhe e kam fjalën për çështjen e vizave e cila duket se më në fund ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Dua të theksojë se izolimi që i është bërë Kosovës duke i mohuar liberalizimin e vizave është më shumë se i padrejtë, është i pakuptimtë”, ka deklaruar ajo në konferencën e përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Sipas saj, nuk ka asnjë justifikim për të zvarritur më tej çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Nuk ka asnjë justifikim për të zvarritur më tej këtë çështje dhe për ta mbajtur pezull këtë situatë që do të thosha është absurde. Dua ta garantoj Donikën, motrën time ashtu si dhe publikun e Kosovës që Shqipëria do të bëjë gjithmonë çdo gjë që ka në dorë për ta mbështetur Kosovën”, theksoi Xhaçka.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka sot ka vizituar Kosovën, ku në takim u prit nga homologia kosovare, Donika Gërvalla.
Pas këtij takimi, Xhaçka do të pritet në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Teve1