Gërvalla në Komision: Po reformojmë shërbimin diplomatik mbi meritokraci
Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, raportoi para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Ajo shpjegoi se projektligjet që janë hartuar nga kjo ministri, sikurse ajo për Shërbimin e Jashtëm si dhe për riorganizimin e sistemit diplomatik të jashtëm të Kosovës, së shpejto do të jenë gati.
“Jam e ndërgjegjshme që është folur shumë për këtë, por besoj deri në fund të vitit do ta keni draftin e këtij projektligji”, tha ministrja Gërvalla.
Anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime për shumë çështje, sikurse ajo për arsyet e blerjes së ambasadës në Zagreb e jo në ndonjë vend tjetër.
Gërvalla tha se blerja e ambasadave bëhet sipas shumë kritereve, por në rastin konkret është bërë shkaku i lartësisë së çmimit.
“Me ato para nuk do të mund ta blinim një të tillë në ndonjë vend tjetër sikurse në Vjenë”, tha Gërvalla.
“Megjithatë, për këtë vit prioritet ka qenë edhe ambasada në Uashington e Londër”.
Ajo deklaroi se ka shumë nevojë për plotësim të stafit diplomatik, por për shkak të ligjit aktual, rekrutimi është i centralizuar dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
E pyetur për shumë ankesa të nëpunësve të MPJD-së, ministrja Gërvalla deklaroi se vetëm tri ankesa janë aprovuar nga Këshilli i Pavarur i Ankesave, 13 janë refuzuar, 12 janë në shqyrtim, 2 janë pezulluar, 2 janë të palejuara e 6 janë në proces.
“Kemi përgjegjësi të gjithë që kur bëjmë akuza për shkelje ligjore, të jemi të kujdesshëm. Vënia e ligjshmërisë në MPJD, jo vetëm që ka qenë synim, por edhe e dukshme për progresin”, u shpreh ministrja Gërvalla.
Komisioni pyeti edhe për një rast të raportuar të hyrjes së dhunshme në zyrat e nëpunësve të MPJD-së, por kjo u kundërshtua nga ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës.
Ajo deklaroi se ka pasur vetëm një rast kur me Komision është hapur me forcë një derë për shkak të një zyrtari që ka marrë pushim të gjatë pa pagesë, dhe e ka bllokuar zyrën.
“Zyra nuk është pronë e të punësuarit, por e Ministrisë. Ne nuk mund të lejojmë që një zyrë të mbyllet dhe askush të mos e shfrytëzojë sepse kemi nevojë për hapësira të punës”, tha Gërvalla, duke rikujtuar se ka edhe shumë zyrtarë të tjerë që kanë marrë pushime të tilla të gjata.
“Po të bllokoheshin zyrat në atë mënyrë, nuk do të kishte hapësirë për punë. Ministria e ka kontaktuar disa herë dhe ai nuk është paraqitur për të hapur zyrën”.
Ajo e pranoi se mos plotësimi i kushteve nga diplomatë që janë në ministri, ka qenë arsye përse në shumë misione, vendet kanë mbetur vakante.
“Kjo është për shkak të ligjit që i lejon vetëm nëpërmjet MPB-së të bëhet rekrutimi”, shpjegoi ministrja Gërvalla, e cila sqaroi se me ligjin e ri, parashikohet decentralizimi në këtë pikë.
Ajo rikujtoi se asnjëherë në MPJD nuk është kërkuar lojalitet politik e partiak nga asnjë diplomat. “Kam kërkuar që lojalitet të ketë ndaj Republikës së Kosovës. Ka shumë diplomatë që politikisht nuk pajtohem në asnjë pikë me ta, por ata shërbejnë në misione diplomatike”.
“Kritere profesionale e meritokraci kemi premtuar dhe jemi duke vepruar”.
Ajo tha se është e ndërgjegjshme për sfidat. “Ka shumë që kanë punuar me dekada në MPJD e kurrë nuk kanë shërbyer jashtë, sepse kanë ulur kokën e kanë punuar ngase e kanë ditur se nuk kanë shanse në një strukturë të politizuar”.
Gërvalla e konfirmoi se ka transferime të diplomatëve nga një vend në tjetrin.
“Brenda mandatit ekzistues të diplomatëve jam munduar të mbulojmë zbrazëtitë. P.sh diplomati në Paris shkon në Uashington sepse nuk mund të punojnë në SHBA vetëm 4 veta”, u shpreh ministrja Gërvalla, duke rikujtuar se kjo nuk do të thotë se Parisi është më pak i rëndësishëm. “Por po mundohemi të funksionojmë brenda kapaciteteve”.
Ajo konfirmoi se ka zgjatje të mandatit për disa diplomatëve, por krejt kjo sipas mundësive sepse ata nuk mund të zëvendësohen.
“Ka pasur një rast në Hagë që për shkak të specifikave, edhe familjarët e të akuzuarve më kanë kërkuar sepse ka qenë ndihmesë për ta. Ia kam vazhduar mandatin një zonje, por edhe ajo ka përfunduar”.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës konfirmoi se për vitin e ardhshëm janë parashikuar edhe hapje e misioneve të reja diplomatike, por për detaje për këtë temë, njohje të reja, apo aplikime për anëtarësime të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, kërkoi mirëkuptimin e anëtarëve të Komisionit që të raportojë në një rast tjetër, por pa praninë e mediave. /rtklive