430 kg kokainë sekuestrohen në Fier, publikohen pamjet e operacionit

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit antidrogë në Fier, ku u sekuestruan 430 kg kokainë. Operacioni u realizua nën drejtimin e SPAK dhe në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Policia tha se në operacion është angazhuar një numër i konsiderueshëm i oficerëve të policisë gjyqësore dhe të agjentëve gjyqësorë dhe kanë ekzekutuar deri më tani, për 10 shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë kryer kontrollin e 14 ambienteve, në qytete të ndryshme (Tiranë, Lushnjë dhe Fier), dhe si rezultat, janë sekuestruar: 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, rreth 16 000 euro dhe 20 paleta me rreth 24 tonë “pleh artificial”, brenda të cilit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se gjendet një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro. /a2cnn