Kuvendi i Kosovës për herë të parë përfaqësohet në Komitetin e Përhershëm të APKE-së
Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), sot në Reykjavik të Islandës ka mbledhur rreth 60 anëtarë, në të cilin po merr pjesë edhe anëtari i delegacionit të Kosovës, Arben Gashi.
Kjo pjesëmarrje shënon herën e parë që delegacioni i Kuvendit të Kosovës përfaqësohet në një takim të këtij niveli, që kur ka filluar të marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate, thuhet në njoftim.
Pritet që takimin të hapë presidenti i APKE-së, Tiny Kox, duke pasuar me një fjalim mirëseardhjeje nga Alþingi Birgir Ármannsson, kryetar i Parlamentit të Islandës. Po ashtu në orët e pasdites, pjesëmarrësve pritet t’i drejtohet edhe Bordis Kolbrun Reykfjoro Gylfadottir, ministre e Punëve të Jashtme dhe Kryesuese e Komitetit të Ministrave.
Islanda ka marrë kryesimin e kësaj organizate që nga ky muaj dhe do ta mbajë deri në maj të vitit të ardhshëm.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave do të organizohet një aktivitet mbi “Dhunën Digjitale ndaj Grave”.
Parlamentarët gjithashtu do të zhvillojnë një debat për çështjet aktuale mbi “Përshkallëzimin në luftën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës”. Ata pritet që të miratojnë një deklaratë për Samitin e 4-të të krerëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Reykjavik, më 16-17 maj 2023.
Gjatë këtij takimi do të diskutohet edhe për rolin e Këshillit të Evropës si një gur themeli i arkitekturës politike Evropiane, mbrojtjen e demokracisë gjatë krizave shëndetësore, ndikimin e pandemisë Covid-19 në hapësirën e shoqërisë civile dhe mbi popullimin e burgjeve - ofrimin e sigurt të kujdesit shëndetësor, vlerësimin e partneritetit për demokraci në lidhje me Parlamentin e Jordanisë, si dhe raportet rreth vëzhgimit ë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bullgari.
Komiteti i Përhershëm i APKE-së përbëhet nga presidenti dhe nënkryetarët e APKE-së, kryetarët e grupeve politike, kryesuesit e delegacioneve kombëtare dhe kryetarët e komiteteve, me rreth 60 parlamentarë nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe nga Kosova, e cila tashme ka aplikuar për anëtarësim të plotë në ketë organizatë. /Zëri