Haxhiu: Vrasja e grave nga burrat e tyre, fenomen shqetësues
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shndërruar në fenomen shqetësues vrasja e grave nga burrat e tyre. Ajo ka premtuar se do të gjejnë forcë drejt vënies së drejtësisë, ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale.
Ky reagim i Haxhiut ka ardhur pas vrasjes së një gruaje në Prishtinë mëngjesin e sotëm.
“Është fenomen tejet shqetësues vrasja e grave nga burrat e tyre. Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë”, tha Haxhiu në një reagim.
Haxhiu ka thënë se ishte duke shkuar në një aktivitet kundër dhunës ndaj grave kur ka marrë lajmin për vrasjen e gruas në Prishtinë.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të kampanjës ‘16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore’, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë”, shkroi Haxhiu në Facebook.