Ambasada e Shqipërisë shënon 28 Nëntorin, presidentja Osmani: Sot jemi më afër se kurrë
Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë të enjten ka organizuar pritjen për nder të festës së 28 Nëntorit. Aty, krerët e shtetit thanë se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende jo vetëm me histori të përbashkët, por edhe të ardhme të përbashkët evropiane.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se më e fuqishme të jetë Kosova dhe Shqipëria, aq më e fuqishme do të jetë Evropa.
“Sot jemi më afër se kurrë, sot jemi më të integruar dhe nesër do të jemi bashkërisht më familjen e madhe evropiane… Kjo festë ka qëndresën tonë, vendosmërinë dhe shpirtin për liri dhe pavarësi jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës njëkohësisht. Në këtë flamur janë edhe vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Preshevë dhe Bujanoc dhe diaspora. Kjo është historia jonë, këta jemi ne, ndër më të lashtit”, tha ajo.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të jenë më të zëshme, njëherësh edhe më të njëzëshme.
“Nëse Kosova mbërrin synimin e saj në anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Ne besojmë në këto vlera, prandaj për këto arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 nëntor duhet të masim cilësinë dhe forcat e këtij zëri”, tha Kurti.
Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se vendi i tij dhe Kosova duhet të jenë krenarë për aleatët ndërkombëtarë që i kanë pranë vetes.
“Kosova dhe Shqipëria janë dy vende jo vetëm me histori të përbashkët, por edhe të ardhme të përbashkët evropiane. Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët duhet të reflektojmë për historikë tonë… Sot Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm, ne duhet të jemi krenarë për aleatët që i kemi pranë nesh”, tha ai.