Kuvendi debaton projektligjin për ndërtimin e marinës dhe jahteve në Durrës
Në Tiranë, Kuvendi shqyrtoi sot mes debateve dhe shkëmbimit të akuzave midis qeverisë dhe opozitës një projektligj për ndërtimin e portit të marinës dhe jahteve në Durrës në të njëjtin vend, ku gjendet aktualisht porti tregtar.
Kryeministri Edi Rama thotë se ky është investimi i huaj më i madh në Shqipëri. Ndërsa opozita theksoi se projekti i miratuar pa garë, është një aferë korruptive e përmasave të mëdha, ku janë përfshirë qeveritarët më të lartë.
Marrëveshja kuadër midis qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit” hyri në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe sot u debatua me tone të ashpra mes shumicës dhe opozitës dhe me argumenta krejt të kundërta.
Qeveria vlerësoi se porti ekzistues ka disa mangësi thelbësore për sigurinë dhe mjedisin, se po arrin maksimumin e vëllimeve që mund të përpunojë dhe nevoja për transformimin e tij dhe shtimin e vëllimeve përpunuese me standarte bashkëkohore ka lindur më herët dhe nuk lidhet me projektin turistik Marina dhe Jahtet e Durrësit.
Sipas të dhënave zyrtare, shteti shqiptar do të jetë aksioner me 33 për qind të aksioneve në një kontratë të ndërmjetësuar për mëse një vit rresht.
Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij duke theksuar se ky investim me të paktën 2.1 miliardë euro është më i madhi investim i huaj në historinë e Shqipërisë, transformues në çdo aspekt, dhe me mbi 12 mijë vende të reja pune, investimi është më i madhi i bërë në turizmin në Durrës, në një port tregtar të pazhvilluar dhe të mbizotëruar nga ndotje dhe mjete të vjetra fare pranë qytetit.
“Ky investim do ta impaktojë GDP-në e vendit 1.2 deri në 1.8 për qind çdo vit. Në një 10 vjeçar operimi do të jetë një motor ekonomik me një kontribut 8 miliardë euro në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, ndërkohë që do të ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë”, thotë zoti Rama.
Opozita deklaroi se sapo të miratohet nga shumica e votave socialiste, projektligjin do ta dërgojë në gjykatë kushtuese, sepse shkel ligjet e vendit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shkelja kryesore është mungesa e garës së hapur ndërkombëtare për këtë investim, ku nuk u lejua kompani të tjera.
Ai tha se ky projekt është një aferë e gjerë korruptive, që mundëson pastrim parash nga bota e krimit.
“Në këtë parlament po ndodh një vjedhje masive e pasurisë së qytetarëve të Durrësit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Rama foli 54 minuta për 2.1 miliardë për xhepin e tij”, tha zoti Alibeaj.
Zoti Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës, sipas të cilës afera korruptive, që rrezikon pastrim masiv të parave të pista, përfshinte atë dhe familjarë të tij me biznesmenë nga rajoni dhe Lindja e Mesme.
Ai shtoi se opozita etiketon menjëherë si aferë korruptive çdo punë që nis qeveria dhe shpesh opozitarët dyshonin ndaj qeverisë së tij të njëjtat afera korruptive, që i kishin bërë vet kur ishin në pushtet.
“Për herë të parë një kontratë publike të këtij shteti është garantuar imuniteti I pronës publike nga çdo lloj mundësie hipotetike e cënimit nga vendimi I çdolloj gjykate vendase apo të huaj. Kontrata parashikon që në rast moszbatimi të kontratës nga investitori shkohet deri në marrjen e gjithçkaje që ai ka zhvilluar deri në atë moment me zero pagesë nga shteti”, tha zoti Rama.
Por zoti Alibeaj tha se përvec shkeljeve ligjore, projekti nuk kishte përfitime ekonomike për Shqipërinë, derisa fondet e investitorëve ishin të pamjaftueshme dhe arka e shtetit pas shumë vitesh do të përfitonte disa miliona, ndërsa fitimet më të mëdha do t’i merrnin njerëzit e përfshirë në aferën korruptive qysh nga fillimi.
“Ti u fal 730 milionë euro nga pasuria e shqiptarëve, ose 818 mijë metra katrorë. Ia kafshon këtë pjesë të trupit të Shqipërisë dhe e fal. 400 milionë euro është vetëm truallit”, thotë zoti Alibeaj.
Projekti i Marinës dhe jahteve në Durrës parashikon 280 vende ankorimi për jahtet, 700 metra plazh të ri, 80 mijë metër katror hapësirë e gjelbër, hotele me 4 dhe 5 yje, dhe sipërfaqe ndërtimi për banim 1.3 deri në 2 milionë metra katrorë.
Ai shtrihet në 20 vjet dhe do të përfshijë një hapësirë prej 800 hektarë. Në fazën e parë, që pritet të zgjasë 5-7 vjet, do të shfrytëzohet afro 50 për qind e sipërfaqes, ndërsa pjesa tjetër do të jenë hapësira publike, parqe dhe infrastrukturë urbane.
Në këtë fazë parashikohet ndërtimi i më pak se një të tretës së sipërfaqes së projektuar, dy komplekseve rezidenciale, një hotel i madh me 5 yje, hapja e një plazhi të ri, një marinë e vogël, si dhe rehabilitimi i zonës në krah të portit aktual.
Gjatë kësaj periudhe Porti aktual i Durrësit do të vazhdojë funksionimin, dhe ai do të zhvendoset pasi të jetë ndërtuar porti i ri. Ndërsa marina e madhe do të ndërtohet në fazën e dytë, pasi porti të jetë lëvizur në vendndodhjen e re. /VOA