Tahiri Kurtit: Kuvendi të duhet veç kur të vjen ngushtë

Në seancën parlamentare po diskutohet marrëveshja e arritur në Bruksel për targat, ku shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, iu drejtua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i kërkuar ndërrimin e qasjes.

Tahiri, ndër të tjera, ka thënë se gjatë kësaj kohe e gjithë opozita e përkrahi Kurtin, raporton Zeri.info.

Ai më tej ka thënë se Kurtit i duhet Kuvendi vetëm atëherë kur është “ngushtë”, teksa shtoi se opozita po hesht pasi vendi është në rrezik.

“Ty kryeministër, ky kuvend të duhet veç kur të vjen ngushtë, të ka ardhë ngushtë me referendum, e ke sjellë rezolutën, të ka ardhë ngushtë më zgjedhjet në Serbi, të kemi mbështet, sot a po e sheh si po rrimë të qetë, sepse po e dimë që vendi është në rrezik, vendi ka qenë në rrezik, andaj qasjen ndryshoje, fokusi të mos jetë në elemente të vogla, të cilat na sjellin në situatë ku me të vërtetë duhet të kthehemi me kokën ulur”, u shpreh Tahiri. /Zëri