Muja: Vendimi për moslëshim targash ilegale u dakordua edhe në të kaluarën, por s’u zbatua asnjëherë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për targat.

Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, Muja ka thënë se një marrëveshje e tillë ishte dakorduar edhe vite më parë, por që sipas tij nuk ishte zbatuar asnjëherë, raporton “Zeri.info”.

“Dje ndërmjetësi i BE-së ka njoftuar se ka një ujdi të re në kuadër të dialogut, kjo nënkupton se Serbia do të ndalet së lëshuari targa ilegale me shkurtesat e qyteteve të Kosovës. Ashtu siç ka insistuar kryeministri Kurti, palët në ditët në vijim do të fillojnë diskutimet në lidhje me hapat e ardhshëm, propozimit për normalizim të plotë të marrëdhënieve të prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja. Sipas përfaqësuesit të BE-së, rezultatet e propozimit duhet të paraqiten para datës mars 2023. Ky vendim i Serbisë për të mos lëshuar targa ishte dakorduar edhe në vitet 2011 dhe 2016, por nuk ishte zbatuar asnjëherë. Tërheqjet e tilla të Serbisë brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore janë manifestuar edhe te pranimi i letërnjoftimeve të Kosovës, pranimi i targave të Kosovës, heqja e ‘probave’ dhe heqja e taksës kufitare për qarkullim. Ngjashëm Serbia është detyruar të pranojë zbatimin e marrëveshjes për energji dhe eliminimin ose mosorganizimin e zgjedhjeve dhe referendumin nga strukturat ilegale dhe paralele serbe. Ishte qasja dhe vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për të ushtruar sovranitetin, zbatuar ligjin dhe luftuar strukturat kriminale në veri që kanë prodhuar këto efekte. Luhatja e një ekuilibri të status quos të sedimentuar ndër vite nuk është pa sfida. Përqendrimi në ushtrim të sovranitetit të brendshëm ka shpënë edhe te planet dhe propozimet për përforcim dhe avancim të sovranitetit të jashtëm. Ngjarjet e ditëve të fundit dhe marrëveshje e arritur dje manifestojnë një ndryshim thelbësor në pozitën e Kosovës karshi proceseve rajonale dhe atij të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Muja.

Ai po ashtu ka folur edhe për propozimin e BE-së, ose siç njihet ndryshe si propozimi franko-gjerman, duke thënë se ky edhe mund të jetë një kornizë zyrtare e BE-së për anëtarësim.

“Propozimi i fundit i BE-së nuk duket të jetë vetëm një propozim ose ‘non paper’, por duket se është inkorporuar si kornizë zyrtare e BE-së në kornizën e anëtarësimit. Prandaj është e rëndësishme që të nxjerrim rezultatin më të mirë përmes konsensusit dhe aleancave”, theksoi Muja. /Zëri