Tahiri: Kurti lëshoi pe për targat, s’guxon të bëjë marrëveshje pa njohje reciproke

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targat.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se marrëveshja për targat u arrit pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti “ka lëshuar pe”.

Sipas saj, nuk dihet se sa kohë do të qarkullojnë targat ilegale në veri, pasi kjo marrëveshje, që nuk u bë publike, nuk ka afat të caktuar, raporton Zeri.info.

Ndër të tjera, Tahiri shprehet se nuk dihet çfarë kompromisesh të tjera ka bërë Kurti.

“Por një gjë e dimë, Kurti e as Qeveria e tij nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë. Nëse lëshon pe, përballë do ta gjejë popullin e Kosovës, të cilin e njoh mirë, sepse është popull shembullor, që di t’i mbrojë interesat kombëtare!”, shkroi Tahiri. /Zëri