Lista Serbe: Mirëpresim marrëveshjen, targat KM mbesin

Të mërkurën në Bruksel Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat ilegale që qarkullojnë në Kosovë e që lëshohen nga Beogradi zyrtar.

Këtë arritje të marrëveshjes e ka mirëpritur Lista Serbe.

Përmes një njoftimi, Lista Serbe ka bërë të ditur se qytetarët serbë që kanë vetura me targa KM, ose akronime të tjera, mund të lëvizin lirshëm nëpër Kosovë dhe nuk do t'u shqiptohen gjoba, shkruan “Zeri.info”.

Ky subjekt politik bën të ditur se, sipas marrëveshjes, edhe pas skadimit të regjistrimit të targave ilegale qytetarët do të mundë t’i riregjistrojnë ose t'ua zgjasin vlefshmërinë, njësoj siç kanë vepruar deri më tash.

“Duam të informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mundë të funksionojnë normalisht dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mundë të zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit të KM si më parë. Prandaj, të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mundë të përdorin dhe zgjasin regjistrimin për automjetet me targa KM pa ndërprerje”, thuhet në reagim, shkruan më tutje “Zeri.info”.

Lista Serbe po ashtu njofton se targat ekzistuese mbeten, por që të reja nuk do të lëshohen, siç thonë ata, “tani për tani”.

“Kujtojmë se qëndrimi ynë ka qenë që të mbajmë targa KM, të mos ua heqim pronën qytetarëve, të mos gjobiten dhe as t’ua pamundësojmë lirinë e lëvizjes. Kemi kërkuar që të mbesin targat “KM”, jo të rritet numri i tyre”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Zëri