Marrëveshja në Bruksel, Serbia nuk lëshon më targa ilegale, Kosova nuk kërkon riregjistrim të veturave

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat në Bruksel, sipas të cilës Serbia nuk do të lëshojë më targa ilegale dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve të cilat kanë targa "KM" apo të tjera ilegale, raporton Zeri.info.

Detaje të marrëveshjes ka dhënë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili edhe njoftoi se është arritur marrëveshje.

Shkrimi i plotë i Borrellit në lidhje me marrëveshje:

Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur.