Oda e Avokatëve, e shqetësuar me vendimin e Qeverisë që zbrit pagat për gjyqtarët e prokurorët

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) është shprehur e shqetësuar për zbritjen e pagave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas OAK-së, pushteti Ekzekutiv, duhet të mbështes pa kushte sistemin e drejtësisë pa dallim, e veçanërisht të krijoj politika që ky sistem të ketë pavarësi financiare.

“Duhet theksuar se zbritja e pagave për Gjyqtarë dhe Prokuror nënkupton kthim prapa, derisa do të shtohet rreziku i rënies së të interesuarve për të punuar në këto pozita, që nënkupton se pasojat e tilla do të bien në kurriz të qytetarit, sepse mund të ketë rënie edhe të efikasitetit dhe vullnetit e përkushtimit në punë”, thuhet në reagimin e OAK-ut.

Tutje thuhet se është detyrim i shtetit që të ofroj garanci për krijimin e kushteve ligjore dhe financiare për një sistem të drejtësisë sa më efikas dhe në të mirë të të drejtave të qytetarëve.

Oda e Avokatëve të Kosovës, bënë thirrje Qeverisë që ta trajtoj me seriozitet këtë çështje, pasi që paga është e drejtë themelore e secilit individ dhe e cila duhet të jetë e përputhshme me përgjegjësitë e secilit, ashtu që Gjyqtarët dhe Prokurorët meritojnë të kenë paga të dinjitetshme. /Zëri