Cramon: E pa pranueshme heqja nga agjenda e BE-së liberalizimi i vizave për Kosovën

Kosova është i vetmi vend evropian (përveç Bjellorusisë) ku qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në BE.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar pasi BE-ja ka hequr nga agjenda në takimin e ardhshëm liberalizimin e vizave për Kosovën.

Cramon këtë e ka quajtur si të papranueshme, duke përmendur faktin se Kosova tash e gjashtë vjet ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, transmeton Zeri.info.

“Pavarësisht se ka listën më të gjatë që kërkohet nga çdo vend evropian për të marrë statusin pa viza, kushtet janë plotësuar më shumë se 6 vjet më parë dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë në radhë për viza edhe pse regjimi pa viza i është dhënë Nikaraguas apo Venezuelës së Maduros.Liberalizimi i vizave është shumë i vonuar dhe duhet të dorëzohet pa kushte, ku heqja e sotme nga agjenda e Këshillit është absolutisht e papranueshme”, është shprehur Cramon.

Këto qëndrime të Cramon janë mbështetur edhe nga disa deputetë tjërë të PE-së.

Në reagim më tej thuhet se Kosova është vend ku shumica dërrmuese e qytetarëve të saj dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe se “duhet të realizojmë atë që kemi premtuar kohë më parë në mënyrë që të rikthejmë një pjesë të besueshmërisë së BE-së dhe të dëshmojmë se fjalët dhe deklaratat tona nuk janë thjesht premtime boshe”.

“Ne besojmë fuqishëm se vendi i Kosovës është në BE dhe shpresojmë se hapi i parë në atë drejtim do të jetë konfirmimi i menjëhershëm i pakushtëzuar i liberalizimit të vizave. Zgjidhja paqësore e krizës aktuale në veri të Kosovës do ta mbështesë më tej këtë rrugë”, thuhet në reagim. /Zëri