Drejtori Musliu viziton “lagjen e harruar” të Prishtinës

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu bashkë me ekipin e tij dhe ekipin e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë vizituar lagjen “Kalabria” të kryeqytetit.

Musliu e ka cilësuar këtë pjesë të kryeqytetit si “lagje e harruar” pasi deri tani ka pasur shumë ankesa nga banorët që nuk janë realizuar asnjëherë.

Ai tha se janë koordinuar për investime në ndriçim publik, lirim dhe krijim të hapësirave për këmbësorët etj.

“Një lagje e harruar, me kërkesa e ankesa të kamotshme, e që shumë vite pa asnjë investim.

U koordinuam për intervenime në ndriçimin publik, lirimin dhe krijimin e hapësirave për këmbësorë, sinjalistik e shenjëzim. Po ashtu do të ketë intervenime edhe te shkolla e lagjes, me qëllim të rritjes së sigurisë për fëmijët”, ka shkruar Musliu.

Ai shtoi se me banorët u dakorduan që të takohen prapë, në formatin e dëgjimit publik. /Zëri