KGJK-ja kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë për pagat, merret vendim për reduktim të punës në gjykata

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin e Qeverisë, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një konferencë për medie, Zogaj tha se kanë marrë vendim me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Vendimi në fjalë hyn në fuqi sot, ndërsa Zogaj tha se Këshilli nuk do të tërhiqet nga ky vendim deri në ndryshim të vendimit nga Qeveria.

“KGJK në mbeldhjen e jashtëzakonshme ka marrë vendim: Një, KGJK dhe kryetarët e gjykatave kërkojnë nga Qeveria që ta anulojë menjëherë vendimin nr.03/109 të datës 23 nëntor; Dy, puna e gjykata do të reduktohet dhe do vazhdojë vetëm për shërbime esenciale. Tre, lista e shërbimeve esenciale do të miratohet nga KGJK në takimin e datës 24 nëntor 2022 (pra nesër); Katër, KGJK dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezentë përfaqësues të Qeverisë; Pesë, në qoftëse Qeveria nuk shfuqizon vendimin e 23 nëntorit 03/109, KGJK më 8 dhjetor 2022, do vendos për masa të tjera”, ka thënë Zogaj.

KGJK vlerëson se vendimi i Qeverisë është interferim në punën e gjyqësorit, është në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet sistemore për organizimin e punës në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe në kundërshtim me parimet ndërkombëtare.

“Ndërkohë që ne ishim në bisedime me Qeverinë, për avancimin e punës në sistemin e drejtësisë, avancimin e punës së gjykatësve dhe prokurorëve, për cka edhe kanë dërguar edhe kemi dërguar komentet për të dy ligjet sistemore që sot janë miratu në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne kemi marrë një vendim, i cili realisht e rrënon bashkëpunimin dhe punën e bërë ndër vite për avancimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor”, tha tutje ai.

Zogaj theksoi se i bëjnë thirrje Qeverisë që të reflektojë, ngase për vendimin e mëparshëm për pagat, ka pasur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar se vendimi nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktet tjera.

Kryesuesi i KGJK-së tha se në asnjë mënyrë nuk mund të jetë arsyetim lufta kundër krimit dhe korrupsionit në nivel të ulët, për vendimin lidhur me pagat, madje e quan këtë arsyetim qesharak.

Ai shtoi se vendimi i sotëm do të ndikojë në luftën kundër korrupsionit, ngase është dekurajim dhe rrënim i pozitës dhe statusit të gjyqtarit.

Vendimin e Qeverisë e quajnë përpjekje për interferim në punën e sistemit gjyqësor dhe zvogëlim të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ai tha se Qeveria duhet të qëndrojë larg gjyqësorit, por duhet ta përkrahë me buxhet.

“Ne jemi gardianë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit”, tha Zogaj.

Këtë vendim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK),e mori pas mbledhjes së jashtëzakonshme që e ka mbajtur sot pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Ndryshe, sot në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.

“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”,  ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.