Haradinaj: Kurti me mision për shkatërrimin e shtetit, sot ua përgjysmoi pagat gjyqtarëve e prokurorëve

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas shfuqizimit të vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili ua kthen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu siç i kishin para se t’i merrnin me rritje.

Ramush Haradinaj shprehet se sot kryeministri Albin Kurti ka goditur prokurorët dhe gjykatësit.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, thotë se Kurti e ka mision shkatërrimin e shtetit dhe sot ua përgjysmoi pagat prokurorëve dhe gjykatësve.

Reagimi i plotë i Haradinajt, pa ndërhyrje:

Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë.

Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara.

Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit.

Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia.