Policia e Kosovës me plan operativ për tubimet e paralajmëruara nga Lista Serbe

Lista Serbe ka paralajmëruar se sot do të mbajë tubime dhe protesta në pjesën veriore të Kosovës.

Në lidhje me këto organizime, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është angazhuar për të ofruar siguri si dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, shkruan “Zeri.info”.

Përmes një njoftimi për medie, Policia ka bërë të ditur se se do të ndërmarrë të gjitha masat policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të Mitrovicës.

“Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale, thuhet në njoftimin e Policisë. Plani operacional i Policisë së Kosovës parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato. /Zëri