Kurti: I kishim tetë opsione nga BE-ja në tavolinë, Serbisë s’i binte tamam asnjëri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur tetë opsione në tavolinë nga BE-ja përgjatë muajve të dialogimit.

Ai këtë ua tha ministrave gjatë mbledhjes së Qeverisë, por u pyet sërish nga gazetarët në një konferencë për media.

“Kur thashë tetë opsionet, mendova që fola vetëm midis nesh, anëtarët e kabinetit qeveritar. S’mund të them më shumë se atyre. Tetë opsione gjatë gjashtë muajve. Shtatorin e vitit 2021 e patë kur u patën grumbulluar forcat serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe atje shkoi edhe ambasadori rus. Gjashtë muaj është negociuar mes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve dhe kanë ardhur në një përfundim se tetë modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët modelin e preferuar dhe nëse asnjë i përbashkët s’do të ishte zgjedhur nga palët natyrisht se do të vazhdonin negociatat. Ne i kemi preferuar tri modele, derisa pesë i kemi konsideruar të papranueshme. Por, Serbia i ka konsideruar të gjitha të papranueshme”.

Ai tha se këto s’mund t’i bëjë publike, meqë kanë zotim për konfidencialitet ndaj ndërmjetësit.

“BE-ja mund t’i bëjë publike këto gjëra. Ne kemi qenë të gatshëm, për neve ka qenë i rëndësishëm parimi i reciprocitetit për dakordim. U bënë edhe dy muaj që dështuan. Asnjë prej tetë opsioneve s’i binte tamam Serbisë”.