Gjykimi për shpëlarje parash, refuzohet propozimi i mbrojtësve për prova të reja materiale

 Mbrojtësit e të akuzuarit Adem Azemi, avokati Behar Ejupi dhe mbrojtësi i Agron Bajçincës, avokati Florent Latifaj, propozuan që gjykata të sigurojë të gjitha transaksionet monetare nga “Wester Union” dhe “Money Gram”, por ky propozimi u refuzua nga trupi gjykues.

Gjatë elaborimit të propozimit të tyre avokatët Ejupi dhe Latifi thanë se transaksionet sqarojnë qartë pjesën se kush ka tërhequr para, kush i ka dërguar dhe disa çështje tjera, mirëpo ky propozim u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se provat gjenden në shkresat e lëndës, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me propozimin e avokateve Ejupi dhe Latifi u deklaruar edhe prokuroria speciale Habibe Salihi, e cila tha se e kundërshton në tërësi propozimin e mbrojtësve, ngase sipas saj, transaksionet e tilla tashmë janë në shkresat e lëndës.

Sipas kryetares së trupit gjykues Suzana Qerkini meqenëse ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarëve dhe administrimi i provave e njëjta i ftoi të akuzuarit që të japin mbrojtjen, mirëpo i akuzuari Visar Mërlaku deklaroi se mbrojtjen do ta jep por me prezencën e avokates Teuta Zhinipotoku.

Si avokat zëvendësues i avokates Zhinipotoku për të akuzuarin Visar Merlaku ishte avokati Abit Asllani mirëpo sipas tij, meqenëse avokatja Zhinipotoku ka qenë nga fillimi i shqyrtimeve gjyqësore, kërkojë që mbrojtjen ta jep në prezencë të saj.

Kurse të akuzuarit Agron Bajcinca, Adem Azemi dhe Arton Tahiraj thanë se pas konsultimit me mbrojtësit kanë vendosur se varësisht se si do të deklarohet i akuzuari Merlaku pastaj do të shohin ata se a do të deklarohen për mbrojtjen e tyre .

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua me 14 dhjetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 gusht 2021, i pandehuri Agron Bajçinca, në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Ëestern Union” dhe “Money Gram” në vendet të ndryshme brenda Kosovës.

E gjithë kjo, thuhet se u bë duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri në 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij në vlerë prej 13 mijë e 644 euro e 50 centë, 60 mijë e 259 euro e 82 centë, 20 mijë e 714 euro e 98 centë, 26 mijë e 951 euro e 23 centë, 17 mijë euro, 6 mijë e 323 euro e 93 centë, 128 mijë e 717 euro e 11 centë, 21 mijë e 706 euro e 88 centë, 17 mijë e 977 euro e 27 centë, 67 mijë e 833 euro e 25 centë, 12 mijë e 129 euro, 45 mijë e 755 euro e 38 centë dhe 21 mijë e 372 euro e 15 centë, në shumë të përgjithshme 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i pandehur Agron Bajçinca, akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”

Tutje, thuhet se i njëjti në kohën dhe vendin si në përshkrimin faktik në dispozitivin e parë të aktakuzës, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që fillimisht i ka tërhequr mjetet monetare në shumë 97 mijë e 990 euro e 47 centë, e më pas për t’i realizuar qëllimet e tij, ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe i ka paguar ata në emër të shërbimeve në shumë prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 49 mijë e 37 euro e 40 centë, 18 mijë e 596 euro e 2 centë dhe 65 mijë e 715 euro e 37 centë, në shumë të përgjithshme 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto, veprime i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, aktakuza thotë se i njëjti në kohën dhe vendin si përshkrimi faktik më lartë, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Thuhet se këtë e bëri në atë mënyrë që i ka tërhequr mjetet monetare në shumë prej 49 mijë e 37 euro e 40 centë, e më pas ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme monetare në emër të tij përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Aktakuza pretendon se i akuzuari Adem Azemi në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë.

Tutje, thuhet se këtë e bëri duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 6 mijë e 972 euro e 36 centë, 6 mijë e 964 euro e 70 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 14 mijë e 41 euro e 9 centë dhe 23 mijë e 938 euro e 50 centë, në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, i akuzuari Adem Azemi, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, thuhet në aktakuzë, se i njëjti duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që  ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri Arton Tahiraj, akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave  të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Ëestern Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe duke i paguar në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij, 47 mijë e 594 euro, 6 mijë e 832 euro e 25 centë, 6 mijë e 371 euro e 73 centë, 6 mijë e 874 euro e 76 centë, si dhe 27 mijë e 517 euro e 22 centë, përkatësisht në shumën e përgjithshme totale 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i akuzuari Arton Tahiraj, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregti e ndaluar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Në aktakuzë thuhet se Arton Tahiraj ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.